Lajme

Mund të ndalet kapitullimi i takimeve në internet?


Andy Hong ndjen sikur takohet online me të njëjtën vajzë.

Të diplomuarit në një shkollë të New England i pëlqen të bëjë ski dhe të luajë sporte.

28-vjeçari ka treguar se nuk ka kurrgjë kundër asaj vajze. Por mendon se mund të ketë lloj-lloj vajzash të tjera, me të cilat mund të gëzojë një marrëdhënie romantike.

Mirëpo, aplikacioni i takimeve “Hinge” vijon t’i rekomandojë atij vajza të ngjashme me të.

“Ata kujdesen vetëm për një lloj dhe duan t’ju sugjerojnë vetëm atë lloj”, ka veçuar Hong për ekipin e aplikacionit.

Përvoja e ka “lodhur” të riun, çka edhe nga shumë të tjerë konsiderohet si “kapitullim i aplikacioneve të takimeve”.

Është një fenomen i përhapur në botën e takimeve të bazuara në aplikacione. Njerëzit lodhen nga takimet e pafundme të disponueshme në aplikacione.

Shumë përdorues janë të frustruar me kohën që shpenzojnë duke ndenjur në internet, krahasuar me kohën që kalojnë në të vërtetë duke shkuar në takime.

“Nga një perspektivë e pastër numrash, nga dhjetë persona hipotetikë me të cilët përshtateni, ndoshta do të keni një bisedë solide me shtatë ose tetë”, ka treguar Hong.

Dhe se nga ato shtatë deri në tetë, arrihen maksimumi dy takime nga afër.

Megjithatë, këto ditë, beqarët e kanë të vështirë të mos përfshihen në botën e takimeve në internet, paçka se shumë e dinë se është punë potencialisht zhgënjyese.

Këto takime, referuar një studimi të vitit 2019, janë bërë një mënyrë shumë më e mundshme për të takuar një partner se sa një takim i rastësishëm.

Por, e gjitha kjo ka edhe kosto.

Një sondazh i fundit nga aplikacioni i takimeve me bazë në Mbretërinë e Bashkuar, “Badoo”, ka treguar se, më shumë se tre të katërtat e beqarëve, ndiheshin të dështuar nga ndërveprimet e pakuptimta dhe të papërshtatshme nëpër platforma.

Sakaq, hulumtimet nga “Hinge” kanë zbuluar se një pjesë e konsiderueshme e përdoruesve të vet (61%) ishin të mbingarkuar nga procesi modern i takimeve.

Një studim i prillit 2022 në SHBA ka nxjerrë se, katër në pesë të rritur “kanë përjetuar njëfarë shkalle lodhjeje emocionale, ose dështimi nga takimet në internet”.

Ama njerëzit vazhdojnë të përdorin aplikacione takimesh për të gjetur partnerë të mundshëm.

Pavarësisht se sa e keqe bëhet përvoja, këto aplikacione mbeten një nga mënyrat më të lehta për të takuar njerëz në mënyrë romantike, në një botë që po shkon gjithnjë e më shumë në internet.

Kapitullimi i kësi aplikacionesh duket se i referohet rraskapitjes që vjen nga përdorimi i zgjatur i aplikacionit për takime.

I këtij mendimi është Nora Padison, këshilltare profesionale e licencuar e diplomuar në Space Between Counselling Services në Baltimore, SHBA.

Sipas saj, ka disa themelore të kësaj lodhjeje.

Kur një përdorues lidh ndjenjat negative me afrimin e aplikacioneve për takime, kur akti i përdorimit të aplikacionit dhe procesi i takimit që pason i lodh dhe kur ngjan si “një punë e dytë”.

Sipas hulumtimit të Leah LeFebvre, profesoreshë e komunikimit në Universitetin e Alabama-s, më shumë se gjysma e 395 përdoruesve të Tinder-it, që ajo anketoi në vitin 2017, e kishin fshirë aplikacionin disa herë.

Në gati 40 për qind të atyre rasteve ishte për shkak se përdoruesi kishte filluar një marrëdhënie. Por, 35 për qind e pjesëmarrësve e hoqën qafe aplikacionin, sepse “ndiheshin të pasuksesshëm”.

Çka nënkupton se ata, “ose nuk kishin asnjë partner të mundshëm, ose përvoja negative”.

Kurse të tjerë thjesht ishin “mërzitur” ose “lodhur”, duke e përdorur aplikacionin.

Por, pavarësisht nga lodhja e tyre, shumë si Hong, mbeten në aplikacione.

“Mund t’i krahasoni aplikacionet e takimeve pak me Amazon-in ose Facebook-un”, ka thënë Padison.

Kjo, sepse ato janë aq të aksesueshme sa është bërë më shumë normë përdorimi i aplikacioneve të takimeve se sa të takosh njerëz në mënyra të tjera edhe nëse përdoruesit nuk janë të dashuruar me platformat.

Ajo ka shtuar po ashtu se pandemia i mësoi njerëzit me ndërveprimet në internet dhe i bëri të ndiejnë nevojën për të kontrolluar takimet e tyre përpara se t’i takonin në jetën reale.

Gjithashtu nuk është aq e lehtë të takosh partnerë romantikë në hapësira fizike, veçanërisht për ata që nuk janë tipi që ulen nëpër bare.

Megjithatë, Padison ka sugjeruar gjetjen e aktiviteteve të bazuara në grup për t’u angazhuar dhe për të takuar njerëz me interesa të përbashkëta.

Por për Hong-un kjo mënyrë nuk i përshtatet.

Në vend të saj, ai është duke gjetur mënyra për ta bërë përvojën e aplikacionit të takimeve më efikase.

Ai do të përpiqet që t’i mësojë më shpejt aspektet e profilit të një personi që do të tregojnë nëse ajo është e duhura për të.

Por edhe kjo në vetvete mund të jetë rraskapitëse.

Marrë nga “BBC”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore