Mujanoviç: Sulmi terrorist në Banjë tregon se shërbimet ruse të inteligjencës janë ende shumë aktive në Ballkan

SHFLETO

Politologu nga Bosnja e Hercegovina Jasmin Mujanoviç

 

Valon Rashiti
22.10.2023 10:26
Loading Icons...

Politologu nga Bosnja e Hercegovina, Jasmin Mujanoviç, ka thënë se sulmi terrorist i 24 shtatorit në Banjë të Zveçanit ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku, na tregon se forcat dhe shërbimet ruse të inteligjencës janë ende shumë aktive në Ballkanin Perëndimor.

“Shërbimet ruse të inteligjencës janë ende shumë aktive në këtë fushë dhe e konsiderojnë zonën e Ballkanit Perëndimor si një front të mundshëm të dytë, të tretë dhe madje të katërt kundër Perëndimit politik. Aty, natyrisht, Kosova është jashtëzakonisht e rëndësishme, por edhe Bosnja e Hercegovina dhe Mali i Zi”, tha ai në një intervistë për The Geopost.

Për Mujanoviçin, çfarë ndodhi në Banjë, “na kujton shumë ato fazat e para të agresionit kundër Bosnje-Hercegovinës, gjithashtu edhe ndaj Republikës së Kroacisë në 1990 dhe 1992”.

“Pra, jam i bindur se, nëse ky sulm në Banjë do të ishte i suksesshëm, nëse Serbia do t’i arrinte të gjitha qëllimet që donte të arrinte, ata ndoshta do të më flisnin tashmë në këtë moment për të ashtuquajturën Republikë Srpska në Kosovë siç do ta quanin ata”, shtoi ai.

Mujanoviç ka theksuar se e sheh politikën e Serbisë si të ngjashme me atë të viteve 90-ta.

“Edhe pse pjesa agresive ushtarake e formatit mund të mos jetë aq e theksuar për momentin, ajo është ende një kërcënim i madh politik”, thotë ai.

Mujanoviç konsideron se rreziku më i madh në zonën e Ballkani Perëndimor është regjimi i Aleksandër Vuçiçit dhe të gjithë pengjeve të tij, duke përfshirë edhe udhëheqësin e serbëve të Bosnje e Hercegovinës, Millorad Dodik, derisa e akuzon qasjen e butë të disa vendeve të Perëndimit ndaj kësaj politike.

Një grup i armatosur të dielën e 24 shtatorit, ka sulmuar Policinë e Kosovës në Banjë të Zveçanit, duke lënë të vrarë rreshterin, tanimë heroin Afrim Bunjaku.

Autoritetet e Kosovës kanë akuzuar drejtpërdrejtë Serbinë se qëndron prapa këtij sulmi terrorist, teksa kryekrimineli Milan Radojiçiç – njeri i besuar i presidentit serb Aleksandër Vuçiç – ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm.

Radojiçiç u arrestua nga autoritetet serbe, mirëpo i njëjti një ditë më pas është liruar nga paraburgimi. Vendet perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian e kanë dënuar këtë sulm, derisa kanë kërkuar që përgjegjësit të sillen para drejtësisë.

Nga ana tjetër, Serbia nuk është distancuar nga ky sulm, përkundrazi ka shpallur ditë zie kombëtare, për t’i nderuar kështu terroristët e vrarë.