Mujanoviç: Për këtë administratë amerikane, marrëdhëniet me Vuçiç-in janë më të rëndësishme se sa me Prishtinën

SHFLETO

Jasmin Mujanoviç

 

Dini Fetahu
06.10.2023 22:01
Loading Icons...

Jasmin Mujanoviç, analist politik, konsulent dhe kolumnist i shumë mediave të huaja, ka thënë se stabiliteti i Ballkanit Perëndimor “ka qenë gjithmonë prioritet” për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Këto komente ai i bëri në panelin “Balancing Acts: Qasja e SHBA-së ndaj stabilitetit në Ballkanin Perëndimor”, gjatë forumit 2BS në Budva të organizuar nga Aleanca Atlantike e Malit të Zi.

“Në zonën e Ballkanit Perëndimor, dëshira e ShBA-së për stabilitet shpesh bie në kundërshtim me dëshirat normative për demokratizimin dhe liberalizimin e Ballkanit Perëndimor, gjë që mund të shihet përmes marrëdhënieve të ShBA-së me Beogradin”, ka theksuar Mujanoviç, transmeton media malazeze “Vijesti”.

Politologu beson se aktualisht, Beogradi është partneri strategjik më i rëndësishëm i ShBA-ve në rajonin e Ballkanit Perëndimor, madje sipas tij më i rëndësishëm se disa aleatë të NATO-s.

“Kemi pasur një sulm ndaj trupave të NATO-s në zonën e Kosovës, në komunën e Zveçanit, pasuar me sanksione për Qeverinë e Kosovës, që është një reagim shumë i çuditshëm i BE-së dhe SHBA-së. Kjo na sugjeron qartë se për këtë administratë amerikane janë më të rëndësishme marrëdhëniet me Aleksandër Vuçiç-in se sa me Prishtinën, Sarajevën, Podgoricën”, potencoi.

Bloomberg/Bloomberg via Getty Images
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Tutje, Mujanoviç shtoi se fakti që nuk po dëgjohet asnjë mesazh i qartë i për Uashingtonin nga Sarajeva, Prishtina dhe Podgorica “është pasojë e faktit se këto vende janë shtete demokratike, e Serbia në këto momente nuk është”.

Themelet e Amerikës, beson ai, “janë të bazuara në ide dhe vlera” dhe se ajo gjithmonë ka qenë “forcë ideologjike dhe aleati më i mirë i vendeve të vogla që aspirojnë liberalizimin ideologjik”.

“Njerëzit në Mal të Zi, Kosovë dhe Bosnje-Hercegovinë janë duke avokuar që SHBA-të të udhëheqin një politikë ideologjike, normative ndaj këtij rajoni dhe të mos shtyjnë një politikë të ashpër reale”, pohoi.

Sa i përket mundësisë së zgjerimit të BE-së në vitin 2030, Mujanoviç vlerëson se është një “histori boshe”, por se historia e zgjerimit të NATO-s në zonën e Ballkanit Perëndimor deri në atë kohë, sipas tij është mjaft realiste.

“BeH, përfshirë Kosovën, mund të anëtarësohen në Aleancë para vitit 2030 dhe pse të mos jetë ky synimi amerikan dhe euroatlantik i të gjithë aleatëve dhe të mos humbet kohë në proceset e ngrira evropiane derisa të ketë një transformim të vërtetë politik në BE dhe pastaj në zonën e Ballkanit Perëndimor”, vlerëson ai.