Kosova

Mujanoviç për AP: Sulmi në Banjë dëshmoi se Serbia ka ende oreks dhe interes për të nxitur konflikt


Ilustrim

Ndonëse hetimet ndërkombëtare mbi sulmin terrorist në Banjë të Zveçanit nuk kanë përfunduar ende zyrtarisht, implikimet e ngjarjes së 24 shtatorit, sipas politologut nga Bosnja e Hercegovina, Jasmin Mujanoviç, janë mjaft domethënës meqë dëshmojnë se Serbia ka ende oreks dhe interes për të nxitur konflikt ndërshtetëror.

Analisti politik, konsulenti dhe kolumnisti i shumë mediave të huaja, beson se synimi i Beogradit, në këtë kontekst, është përdorimi i dhunës për të ndryshuar kushtet politike në terren.

“Dhe kjo pjesë e fundit, mendoj që është veçanërisht e rrezikshme, sepse ne nuk e kemi parë atë gatishmëri në thelb që nga vitet 1990. Dhe nëse, në fakt, Beogradi është edhe një herë i mendimit se mund të përdorë forcën për të ndryshuar kushtet politike, padyshim që implikimet janë shumë, shumë të tmerrshme, jo vetëm për Kosovën, por edhe për Bosnjën dhe Malin e Zi, madje ndoshta edhe për Maqedoninë e Veriut, a duhet të lindë arsyeja, të paktën nga këndvështrimi i Beogradit”, ka thënë ai në një intervistë për Albanian Post.

I pyetur nga Albanian Post se a arriti Kosova ta kapitalizojë situatën e krijuar pas sulmit terrorist në Banjë të Zveçanit, Mujanoviç tha se Prishtina zyrtare në këtë drejtim duhet të punonte më shumë.

“Ngjarjet në Banja tregojnë se Qeveria e Kosovës ka qenë korrekte në të gjitha paralajmërimet që ka dhënë në dy vitet e fundit në lidhje me orientimin e përgjithshëm të qeverisë në Serbi. Por, të kesh të drejtë në vetvete nuk është shumë. Ajo që është e rëndësishme tani është që autoritetet në Kosovë do të vazhdojnë të punojnë me palët relevante të interesit, veçanërisht me ekzekutivët përkatës në Perëndimin politik, për t’i bërë presion qeverive që të ndryshojnë politikat”.

Jasmin Mujanoviç

Kësisoj Mujanoviç, sugjeron që Qeveria e Kosovës, në çështjen e 24 shtatorit duhet t’i ikë botëkuptimit se duke komunikuar me burokratët mund të ndryshojë diçka, meqë sipas tij, të njëjtit nuk prodhojnë politika, por veç i zbatojnë ato.

“Njerëzit që duhet të lëvizin janë ata që në të vërtetë krijojnë politika. Kështu që ju duhet të kaloni në nivelin ekzekutiv. Kjo është një kërkesë e vështirë për një vend të vogël si Kosova. Por, mendoj se mund të bëhet nëse ka vullnet dhe nëse ka burime”, shton ai për AP.

Më 24 shtator një grup terrorist hyri ilegalisht në Kosovë dhe sulmoi Policinë e Kosovës duke lënë të vrarë një pjesëtar të saj.

Kosova fajësoi Serbinë për sulmin duke theksuar se Beogradi zyrtar tentoi ta “aneksojë tërë Veriun e Kosovës”.

Intervista e plotë e Jasmin Mujanoviç për Albanian Post:

“Në politikë s’mjafton veç të kesh të drejtë, duhet punë”, Intervistë me politologun nga Bosnja dhe Hercegovina Jasmin Mujanoviç

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore