Kosova

Mujanoviç: Asociacioni është kopje e zbehtë e Republikës Srpska


Jasmin Mujanoviç

Jasmin Mujanoviç, analist politik, konsulent dhe kolumnist i shumë mediave të huaja, duke folur për përpjekjet e Serbisë për destabilizimin e Kosovës, Malit të Zi dhe Bosnje e Hercegovinës, ka thënë se ideja për krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë, nuk është asgjë tjetër pos një kopje e zbehtë e Republikës Srpska – entiteti serb në BeH.

Këto komente, Mujanoviç i bëri në një intervistë për median malazeze “Pobjeda”.

“Domethënë, e atij projekti të Republikës Srpska që dikur ekzistonte në Kroaci dhe, për fat të keq, ekziston ende në BeH. Është një koncept shovinist. Është një koncept sektar që kërcënon Malin e Zi”, tha ai.

Madje, ai ka thënë se një kërkesë e tillë është mjaft realiste që në pesë vitet e ardhshme “të ketë një histori për formimin e komuniteteve të ngjashme në territorin e Malit të Zi, nëse kjo lejohet në Kosovë”.

“Shpresoj se nuk do të ketë etno-territorializim sepse, siç e kemi parë në tre dekadat e fundit, koncepte të tilla politike vetëm lindin dhe ruajnë konflikte sektare dhe shërbejnë si një terren trajnimi politik për vazhdimin e agresionit të madh serb dhe makinacioneve të tilla nga njerëz si Aleksandër Vuçiç apo dikush tjetër që do të shfaqet në të ardhmen nëse nuk ka riorganizim të përgjithshëm politik të BeH dhe rajonit”, vlerëson ai.

Njohësi i zhvillimeve politike në rajon nuk ka asnjë dyshim që prapa sulmit terrorist në Banjë të Zveçanit qëndron Serbia, përkatësisht presidenti i saj Vuçiç.

“Është shumë e qartë se ajo që ndodhi në Kosovë është shprehje e politikës formale, e politikës thelbësore të Beogradit zyrtar, pra të regjimit të Aleksandër Vuçiç-it”.

“Është thjesht e pamundur të besohet se një aksion i tillë paraushtarak do të mund të ishte kryer pa mbështetje zyrtare dhe shumë serioze nga aktorët shtetërorë, autoritetet e sigurisë dhe të gjithë aktorët e tjerë relevantë politikë të vendosur brenda regjimit shtetëror serb”, shtoi.

Tutje, Mujanoviç, sugjeron që për të dalur nga kjo situatë që është Ballkani Perëndimor me kërcënimet e Serbisë, krijimin e një aleance në mes të Kosovës, Malit të Zi e Bosnje e Hercegovinës.

“Për momentin, një rrugëdalje nga kjo situatë katastrofike në Ballkanin Perëndimor e shoh vetëm përmes një aleance më të ngushtë midis Bosnjë-Hercegovinës, Malit të Zi dhe Kosovës, të cilën e kam quajtur tashmë brezi strategjik ose shtylla kurrizore strategjike e rajonit në disa raste”.

“Mendoj se edhe amerikanët edhe evropianët e kanë bindur veten në idenë se Aleksandër Vuçiç në këtë vit 2023 është disi një person i ndryshëm nga Vuçiç-i i vitit 1993 dhe ata thjesht nuk kanë hapësirë ​​intelektuale, politike apo diplomatike për ta ndryshuar atë politikë”.

Kjo, sipas tij, pasi që kanë investuar “aq shumë në gjoja normalizimin me Vuçiç-in dhe Serbinë, dhe tani kur ai normalizim po shpërthen në tegel, askush nuk do ta pranojë se e kishin gabim”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore