Lajme

Muja: Ujësjellësit në Prizren e Pejë kanë bërë nën-raportime të qëllimshme në prodhim të ujit, do t’i drejtohemi Prokurorisë     


Armend Muja

Deputeti i Lëvizjeve Vetëvendosje dhe njëherit kryetari i komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere Armend Muja, në një konferencë për media ka raportuar për nën-raportime disa vjeçare në Ujësjellësin e Prizrenit dhe të Pejës.

Muja, ka bërë të ditur se Raporti i Autoritetit Rregullativ të Ujit, të cilën e ka pranuar dje në lidhje me ujin e prodhuar në Kosovë për vitin 2023 vë në pah disa anomali sa i përket raportimit të ujit të prodhuar në disa ujësjellës të Kosovës.

Në bazë të raportit të Autoritetit Rregullativ, Muja ka konstatuar se uji në ujësjellësin e Prizrenit dhe Pejës është nën-raportuar.

“Në vitin 2023, sipas ARrU-së, po prodhohen 73 për qind më shumë ujë sesa në vitin 2022, pra para instalimit të ujëmatësve”.

“Kurse Ujësjellësi Rajonal i Pejës, në vitin 2023, pas instalimit të ujëmatësve po prodhohen 41 për qind më shumë ujë se sa në vitin 2022”.

Ajo çfarë ka qenë interesante, sipas Mujës, është sepse tek ujësjellësi i Pejës, bazë të raportit të vitit 2007 janë prodhuar 35 milionë litra kub ujë.

“Çuditërisht pas kësaj periudhe deri sa ne kemi ardhur në pushtet, ky prodhim i raportuar rra në 24 milionë litra kub ujë. Tash pas instalimit të ujëmatësve është rikthyer në gjendjen paraprake. Pra ne besojmë se kemi një nën-raportim të qëllimshëm”.

“Kurse te Prizreni na është raportuar në vitin 2021 se po prodhohen 17 milionë litra kub ujë, kurse pas instalimit të ujëmatësve është 29 milionë litra kub ujë. Pra dyfishim i ujit të raportuar”.

Ky ndryshim në prodhim të ujit nuk ka ardhur, sipas Mujës, për shkak të ndryshimit të kapaciteteve.

“Këto kanë ardhë për shkak të matjeve të saktë të ujit pas ndryshimit të menaxhimenteve edhe në KRU edhe në ARrU”.

Dëmi që i është bërë interesit publik në këto dy ujësjellës, sipas Mujës, kap shifrën vjetore rreth 6 milionë euro.

“Apo për periudhën e raportuar në këtë rast në 10 vitet e fundit duhet të jetë diku rreth 60 milionë euro”.

Muja ka folur edhe për ca supozime fillestare në lidhje me se ku ka shkuar dhe kush ka përfituar nga këto nën-raportime të qëllimshme.

“Fillimisht kjo lëndë do të orientohet drejtë prokurorisë për ta hetuar se kush ka qenë përfituesi dhe kush kanë qenë përgjegjësit penal për këtë çështje”.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore