Kosova

Muja: Policia e Kosovës komunikonte në Veri me Telekom Serbia


Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, ka reaguar ndaj ish-kryeshefit ekzekutiv të Postë Telekomit të Kosovës (PTK), Shyqyri Haxha, i cili ka thënë se shtrirja e PTK-së në Veri të Kosovës ka nisur që në vitin 2010.

Muja përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, ka thënë se nga vizitat që i kanë bërë në pikat kufitare 1 dhe 31, Policia e Kosovës nuk ka mundur të zhvillojë komunikime me telefon.

Sipas deputetit të VV-së, policia për nevoja kanë përdorur telefonat e Telekom Serbia, të kolegëve të tyre serbë.

“Unë nuk e di se kur e si janë vendosur ato antena, por një gjë e di me siguri se nga vizitat e shpeshta që i kemi bërë veriut të vendit veçanërisht në pikat kufitare 1 dhe 31, Jarinjë e Bërnjak, e përgjatë rrugëve magjistrale Policia e Kosovës nuk ka mundur të zhvillojë komunikime me telefon”.

“Madje për disa nevoja ata kanë përdorur telefonat e Telekom Serbia, të kolegëve të tyre serb për të zhvilluar ndonjë komunikim telefonik. Dhe kjo ka qenë më dhimbshme”, ka shkruar Muja.

 

Muja, ka bërë të ditur se sa herë ka shkuar në Veri i ka parë punimet për vendosjen e antenave, të kryera nga Policia e Kosovës me punëtorët e Telekomit.

“Në këto punime në atë anë kam parë uniformën e Policisë së Kosovës dhe atë të punëtorëve të Telekomit, të cilët sigurisht nuk i kanë marrë leje bandave kriminale siç ishte bërë dikur, por janë vendosur me leje dhe autorizim të institucioneve të Republikës”.

“Duhet që shërbimi edhe më tejë të zgjerohet e të përmirësohet. Por, duhet pak kërkim e mbamendje për të ditur se kush ka reaguar dje, është po ai person që praktikisht e ka shkatërruar Telekomin me marrëveshje të dëmshme. Mjafton të kujtojmë atë me Z-Mobile dhe nuk ka nevojë për sqarime shtesë”.

Haxha, kishte shkruar në rrjetin social ‘Facebook’ se mbulueshmëria e Vala-s në Veri kishte qenë mbi 98 për qind.

“Pra pasi i kemi largu operatorët ilegal kemi instalu antenat e VALA-së, ju lutem shikone foton e mbulueshmërisë në gjithë Kosovën duke përfshi pjesën verior ky mbi 98.41% kemi pas mbulueshmëri”, ka shkruar Haxha.

Më 29 nëntor, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, në një konferencë për media bëri të ditur se Telekomit të Kosovës do t’i ndahen 1 milion euro në javët në vijim nga Qeveria e Kosovës për shtrirjen e rrjetit edhe në komunat veriore.

“Jemi duke shikuar të ndihmojmë Telekomin për të përballuar investimet kapitale për shtrirjen e rrjetit në komunat veriore, një vlerë prej rreth 1 milion euro”.

Rizvanolli theksoi se në vitin 2023 do të fillojnë dy projekte të rëndësishme për mbështetjen e Telekomit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore