Kosova

Muhamet Alidemaj dënohet me 15 vjet burgim për krime lufte në Izbicë


Muhamet Alidemaj

Me 15 vjet burg është dënuar, Muhamet Alidemaj, të premten e 12 korrikut, nga ana e Gjykatës Themelore në Prishtinë për pjesëmarrje në Masakrën në Fshatin Izbicë të Komunës së Skenderajt.

Sipas aktakuzës, Alidemaj kishte marrë pjesë bashkë me pjesëtarë të forcave policore dhe ushtarake serbe në vrasjen e civilëve shqiptarë në Masakrën e Izbicës që kishte ndodhur në mars 1999, e ku ishin vrarë e masakruar 130 shqiptarë.

Aktgjykimi ndaj Alidemajt u shpall të premten nga gjykatësi, Vesel Ismaili, i cili tha se në dënimin me burgim, të njëjtit do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.

Ndryshe, sipas aktakuzës së përpiluar më 29 mars 2022, Muhamet Alidemaj gjatë periudhës kohore 24 mars 1999 – 11 qershor 1999, gjatë konfliktit të armatosur në Kosovë, si pjesëtar i forcave policore dhe ushtarake serbe, së bashku me pjesëtarët e tjerë të forcave policore dhe ushtarake serbe, me dhunë i ndajnë gratë e fëmijët dhe dhunshëm i detyrojnë që të shkojnë në drejtim të Shqipërisë.

Aktakuza potencon se ky grup ku ishte pjesë edhe Alidemaj, burrat e mbetur i ekzekutojnë me armë automatike duke i vrarë 130 persona, prej të cilëve 114 viktima u identifikuan, kurse 12 civilë i mbijetuan ekzekutimit.

Ndryshe Prindërit e Muhamet Alidemajt, nga fshati Kërrninë e Istogut, për herë të parë kishin folur publikisht për Albanian Post rreth rastit për të cilin djali i tyre u akuzua nga Prokuroria Speciale e Kosovës.

Flasin për Albanian Post prindërit dhe dëshmitari në rastin e shqiptarit të akuzuar për masakrën e Izbicës

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore