Kosova

“Muhabete grash”, “mos e ngrit zërin veç se je burrë”, përplasen deputetët Berisha dhe Pacolli


“Këto janë muhabete grash, po më vjen keq që po ta them, po kapesh për bishta të fjalëve, turp duhet të kesh. Nuk keni çka i bëni më shumë Kosovën se kaq”.

Kështu i ka thënë deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacollit, ai Partisë Demokratike të Kosovës, Hisen Berisha, në mbledhjen e Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me nivelin e menaxhimit të marrëdhënies së punës të anëtarëve të shërbimit të jashtëm dhe zyrtarëve të MPJ-së.

Por, Pacolli ka thënë se qëllimi i saj nuk është për ta penguar punën e komisionit, por për t’u angazhuar që të respektohet ligji.

“Mos e ngrit zërin vetëm që je burrë. Misioni im është ta respektojmë ligjin. Qeveritë e juaja kanë abuzuar me pushtetin”, tha Pacolli, e cila më pas e ka lëshuar sallën ku po mbahej mbledhja.

Ndërkaq, kryetarja e Komisionit, Time Kadrijaj, theksoi se kanë kaluar katër muaj që është formuar ky komision dhe ende nuk kanë marrë nga ministria ndonjë material në lidhje me këtë çështje.

Ndryshe, në këtë mbledhje morën pjesë edhe tre ekspertët e angazhuar në këtë hetim.

Këta të fundit prezantuan listën e dëshmitarëve që do të dëshmojnë. Kjo mbledhje pritet të vazhdojë të premten në ora 10:00.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore