MSh arsyetohet për tollovinë te qendra e vaksinimit: Janë si pasojë se aty kanë ardhur qytetarë edhe nga komunat e tjera

SHFLETO
Valon Rashiti
14.05.2021 17:29
Loading Icons...

Ministria e Shëndetësisë është arsyetuar për tollovinë para qendrës së vaksinimit në sallën “1 tetori” të premten në Prishtinë.

Me anë të një komunikate për media kjo ministri ka bërë me dije se “grumbullimet e krijuara sot para sallës “1 Tetori”, janë si pasojë se aty kanë ardhur të vaksinohen qytetarë edhe nga komunat e tjera, përkundër njoftimeve të bëra ditëve të kaluara dhe dje se qytetarët do të vaksinohen në komunën e tyre”.

MSh i ka bërë thirrje qytetarët e komunave të tjera të Kosovës  që t’u drejtohen qendrave të vaksinimit në komunat e tyre, me qëllim që të marrin informatat e duhura dhe të vaksinohen.

“Me që vaksinimi kundër COVID-19 është proces dinamik që do të vijojë deri në vaksinimin e të gjitha kategorive të parapara në Planin e vaksinimit, luten qytetarët që të përcjellin njoftimet e MSh-së dhe t’i shmangin grumbullimet para qendrave të vaksinimit përderisa mundësia e vaksinimit do të jetë e hapur çdo ditë në secilën komunë”, thuhet në reagimin e MSH-së.

Ndërkaq Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike përmes konferencave për media e kanë kritikuar Qeverinë e Kosovës për tollovinë e krijuar të premten tek salla “1 tetori” në Prishtinë.

Edhe organizatat e shoqërisë civile i kanë bërë thirrje të Ministrisë së Shëndetësisë për një organizim më mirë, pasi sipas tyre ‘një mungesë plani rezulton me infektime të reja”.