Kosova

MPJD kërkon nga Serbia që ta konfirmoj identitetin e personit të vrarë


Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), ka kërkuar nga Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi që të konfirmohet identiteti i personit të vrarë –  pas raportimeve që personi që dyshohet se është vrarë nga Policia e Serbisë është Faton Hajrizi.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi pas raportimeve për vrasjen e një shtetasi të Republikës së Kosovës në Serbi, ka kërkuar nga Autoritetet serbe që të konfirmojnë identitetin e personit të vrarë”, thuhet në komunikatë.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka thënë se do ta mbajë të informuar opinionin publik sapo të ketë informacione të reja në lidhje me këtë rast.

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiç, ka thënë se është likuiduar personi që vrau një polic serb dhe plagosi një tjetër të enjten në Loznicë – kufiri mes Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës – që dyshohet të jetë Faton Hajrizi.

“Pjesëtarët e policisë vranë vrasësin e një polici në afërsi të Loznicës”, tha Daçiç, transmeton agjencia serbe e lajmeve “Tanjug”.

Në vendin e ngjarjes, siç raportojnë mediat serbe, ka dalë edhe vet Daçiç.

Gazeta serbe “Blic”, ka shkruar, duke u thirrur në burime të saja, se Faton Hajrizi ka tentuar që të kalojë lumin Drina dhe të arratiset në Bosnje e Hercegovinë, por nuk ia ka dalë.

Sipas kësaj gazete, Hajrizi është fshehur në një kompleks të braktisur fabrike, në të cilin thotë se prej vitesh fshihen emigrantët në pritjeje të një “lidhjeje” “për të ikur përtej Drinës.

Ndërsa, sipas medias tjetër serbe “Informer”, Faton Hajrizi ka qëlluar sërish në drejtim të policisë, për çka edhe ka mbetur i vrarë.

Edhe media tjetër serbe “Novosti” shkruan se Hajrizi u vra pasi i bëri rezistencë policisë.

Kjo medie raporton se pasi që MPB-ja serbe publikoi foton e të Hajrizit, njëri nga vendasit raportoi se kishte parë një person me atë përshkrim pranë ish-pompës së karburantit të Viskozës.

https://albanianpost.com/policia-serbe-vret-faton-hajrizin/

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore