Kosova

MPJ për Albanian Post: Ish-ushtari i UÇK-së që u arratis nga RMV-ja, iu ndërrua masa e sigurisë – deshën ta kthejnë sërish në burg


Ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Blerim Ramadanit – i arrestuar muajin e kaluar nga policia maqedonase – që ka ikur nga arresti shtëpiak nga shtëpia e të afërmve të tij në Maqedoninë e Veriut, iu kishte ndërruar masa e sigurisë.

“Ambasada e Republikës së Kosovës në Maqedoni të Veriut është njoftuar nga avokati i z. Ramadani se është ndërruar masa e sigurisë nga arresti shtëpiak në kthim në paraburgim, në kohën kur i njëjti ishte në pritje të vendimit të Gjykatës Supreme”, tha për Albanian Post, Leutrim Sahiti, këshilltar politik në MPJD.

Megjithatë, ai ka theksuar se MPJD nuk ka pranuar informacione tjera për këtë çështje nga autoritetet relevante të Maqedonisë së Veriut, veçse ka treguar se Ramadani ishte në pritje të verdiktit final të Gjykatës Supreme.

“Ju rikujtojmë që sipas njoftimit tonë paraprak, Gjykata Themelore Penale në Shkup me datë 8 gusht 2024 ka marr vendim për mosekstradimin e z. Blerim Ramadani në Serbi. Ai ishte në pritje të verdiktit final të Gjykatës Supreme ditëve në vijim”, shtoi.

Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut tha të enjten për agjencinë e lajmeve MIA se është duke marrë masa për gjetjen e vendndodhjes së Ramadanit.

Ramadani u arrestua më 17 korrik në pikëkalimin kufitar Jazhincë – që lidh Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut – në bazë të një fletarrestimi të lëshuar nga Gjykata në Beograd, përmes INTERPOL Serbia, nën akuza për krime lufte.

Një gjykatë maqedonase më 1 gusht urdhëroi që Ramadani të dërgohet nga paraburgimi në arrest shtëpiak dhe, sipas vendimit, ai është dërguar në një adresë në Shkup. Me këtë vendim ishte paraparë që ai të qëndronte në arrest shtëpiak deri më 16 gusht.

“Propozimi i personit Blerim Ramadani nga Kosova, i paraqitur përmes avokatit të tij Ibraim Bajrami nga Tetova më 29.07.2024, për shfuqizimin e masës së paraburgimit për shkak të ekstradimit dhe zëvendësimin e saj me masën e arrestit shtëpiak për shkak të ekstradimit dhe masat e parandalimit, pranohet”, thuhej në dokument.

Ramadani ishte anëtar i Zonës Operative të Nerodimes dhe fletarresti serb ndaj tij u lëshua me pretendimin se kreu krime lufte ndaj serbëve në verën e vitit 1999 në rajonin e Ferizajt.

Ky nuk është rasti i vetëm kur autoritetet e Maqedonisë së Veriut arrestojnë ish-ushtarë të UÇK-së, për shkak të fletarresteve nga Serbia.

Në vitin 2016, pikërisht për shkak të flearrestit nga Serbia, ishte arrestuar në kufirin mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, Gafurr Elshani.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore