Lajme

MPB për liberalizimin e vizave: S’kemi pranuar asnjë rast për mosrespektim të rregullave


Ministria e Punëve të Brendshme,

Nga ministria e Punëve të Brendshme (MPB), kanë deklaruar se që nga liberalizimi i vizave për Kosovën e deri në muajin shkurt nuk kanë pranuar as edhe një rast për mosrespektim të rregullave.

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Blerim Gashani, ka vlerësuar se kanë bërë përgatitjet e duhura për ta menaxhuar këtë proces.

“Si institucione kemi bërë përgatitjet e duhura për të menaxhuar këtë proces, duke përfshirë informimin e qytetarëve tanë lidhur me të drejtat dhe obligimet që derivojnë nga kjo liri e lëvizjes”.

“Në bazë të raporteve, të cilat i kam pranuar nga mekanizmat përgjegjës institucionalë deri më tani, çdo gjë është duke shkuar në suaza normale dhe nuk janë raportuar raste të mosrespektimit të rregullave”, ka thënë ai.

Ai gjatë takimit me atashetë e migrimit të ambasadave të huaja në Kosovë, ka thënë se janë në pritje të miratimit të ligjit të ri të huaj.

Sipas tij, ky është njëri ndër ligjet bazike që rregullon fushën e migracionit në Kosovë.

“Fokus i veçantë i është kushtuar parimeve ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut si dhe direktivave të BE-së që kanë të bëjnë me trajtimin dhe kthimin e migrantëve me qëndrim të parregullt në territorin e Republikës së Kosovës”.

Nga 1 janari i 2024-ës, qytetarët e Kosovës do të mund të udhëtojnë pa viza në 27 shtete të zonës Schengen.

Por, frika e largimit të kuadrove për punë dhe mundësi jashtë Kosovës posa të mundësohet udhëtimi pa viza, po del të jetë me bazë në shumë prej sektorëve të ekonomisë në Kosovë, por jo vetëm.

Papunësia, pagat e ulëta, shkollimi i dobët, çmimet e larta, mosvlerësimi i duhur këto ishin vetëm disa nga arsyetimet kur qytetarët pyeteshin përse po largohen.

Të njëjtat arsyetime vazhdojnë edhe sot.

Përveç lumturisë, pas 12 vjetësh që ndodhi liberalizimi i vizave, ky moment historik padyshim se do të sjellë edhe një frymë të re me ndryshime në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore