Lajme

MPB-ja: Nga shtatori tri incidente kanë ndodhur në Veri lidhur me targat RKS


Që nga 1 shtatori, në Veri të Kosovës janë regjistruar tri raste të djegies së veturave apo të pronës së qytetarëve që kanë konvertuar targat e tyre në ato që lëshohen nga Serbia në RKS – Republika e Kosovës.

Këtë e ka konfirmuar zëdhënësja e MPB-së, Nora Fetoshi.

“Propaganda e krerëve të shtetit serb, përfshirë presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç dhe veprimet e strukturave ilegale ekstremiste e grupeve kriminale janë të koordinuara dhe në shërbim të njëra-tjetrës drejt qëllim të frikësimit të qytetarëve tanë në veri”, deklaroi Fetoshi për Radio Evropa e Lirë.

Ndërsa, shtoi se deri më 27 tetor janë riregjistruar 20 vetura, përfshirë edhe një veturë që u dogj me 26 tetor në veri të Kosovës.

Edhe më 27 tetor, një veturë në Leposaviq të Kosovës, që kishte konvertuar targat në RKS është djegur.

Këtë për Albanian Post, e ka konfirmuar zëvënedësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Besim Hoti.

Ilustrim.

“Vetura është djegur rreth orës 04:00 të mëngjesit ka qenë më targat RKS, mbetet të punohet në drejtim të hetimit të mëtutjeshme për akterët e mundshëm të këtij akti kriminal”, deklaroi Hoti.

Hoti, deklaroi se akoma nuk dihet për identitetin e personit të dyshuar që ka kryer djegien e makinës.

“Nuk kemi ndonjë informacion në këtë fazë, sepse nuk është vetura e vetme që është djegur, janë disa vetura që në këtë periudhë kohore që janë djegur dhe qytetarët janë dëmtuar në pronat e tyre, sidoqoftë mbetet të hetohet më tutje”, tha Hoti.

Më 26 tetor, një rast i ngjashëm ka ndodhur në komunën e Leposaviqit vetëm që vetura ka qenë me targa ilegale “KM” .

Përkundër kërkesës ndërkombëtare, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi të martën para gazetarëve se nuk do të ketë shtyrje të afatit.

“Data e fundit është 31 tetori kur të gjithë qytetarët të cikët kanë automjete me targa të stërvjetruara do të mund t’i konvertojnë ato në targa legale”, pohoi ai.

Më 23 tetor, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka theksuar se është një pakicë e vogël që nuk i ka konvertuar akoma targat dhe i shfytyrojnë targat e kohës së Millosheviçit, “kërkesa jonë është që të respektohet ligji, ka pasur afat të mjaftueshëm që ky konvertim të bëhet”.

“Llogariteni se si do të ndiheshin ta zëmë në një shtet si Polonia nëse 25 vite pas luftës do të shihni targa të kohës së Hitlerit”, duke shtuar se “jo vetëm që është e paligjshme, por është edhe e pa moralshme”.

Ajo shtoi se Kosova është shtet i sundimit të ligjit dhe duhet ti jepet fund bandave kriminale që po i kërcënojnë qytetarët.

Ndërsa zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka thënë për Albanian Post, se BE e kupton fare mirë që vendimi i Qeverisë së Kosovës për targat është në përputhje me marrëveshjet në Bruksel, por aktualisht mund të çojë në tensione, prandaj kanë kërkuar shtyrje fillimisht për 12 muaj e më pas për 10 muaj nga qeveria e Kosovës.

“Ne kemi rekomanduar te qeveria e Kosovës që të njoftojë për një periudhë 12 muajsh për ri-regjistrim të targave. Duke përdorur të njëjtën arsye, tani po kërkojmë nga qeveria e Kosovës një shtyrje të afatit për 10 muaj”, tha Stano për AP.

Serbët e Kosovës duke filluar nga 1 shtatori kanë pasur dy muaj kohë, për t’i konvertuar targat e tyre ilegale me akronime si KM, PZ, e të tjera, në ato RKS.

Stano për Albanian Post: S’duam dhunë në Veri, prandaj kërkuam shtyrje për targat

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore