Kosova

MPB apelon të raportohen rastet për gjuajtjet me armë zjarri në ahengje


Ministria e Punëve të Brendshme

Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar se gjatë muajit qershor, Policia e Kosovës, ka arrestuar katër persona, ka konfiskuar 19 municione dhe katër armë lidhur me incidentet e të shtënave me armë në ahengje.

Kështu është bërë e ditur nga MPB-ja, përmes një shkrimi në platformën sociale Facebook.

“Gjatë muajit qershor 2024 lidhur me incidentet e të shtënave me armë në ahengje, Policia e Kosovës ka pranuar 6 raportime nga qytetarët, ka arrestuar 4 persona, ka konfiskuar 19 municione, dhe ka konfiskuar 4 armë”.

Ata iu kanë bërë thirrje qytetarëve t’i raportojnë këto raste në mënyrë që të kenë festa të lumtura e të sigurta.

Nga kjo Ministri, theksuan se bashkëpunimi është thelbësor në parandalimin e tragjedive që mund të shkaktohen nga gjuajtjet me këto armë.

Më 29 korrik, Policia e Kosovës kishte njoftuar se në vikend ka arrestuar 14 persona pasi dyshohej se kishin përdorur armë në ahengje familjare.

Gjashtë nga këta persona ishin arrestuar në një aheng familjar në fshatin Koshare të Ferizajt, ku u sekuestruan edhe disa mjete.

Edhe në Pejë për këtë vepër penale ishin arrestuar pesë persona, ku u sekuestruan edhe disa armë.

Meqë përdori armë, një person tjetër ishte arrestuar në Kamenicë dhe si pasojë një person kishte pësuar lëndime.

Në Gjakovë, në dy raste të ndara, Policia, kishte arrestuar dy persona dhe sekuestruar dy armë.

Nga PK-ja, kishin theksuar se posedimi dhe përdorimi i armëve në përgjithësi e në veçanti në festa familjare është i ndaluar me ligj dhe iu patën bërë thirrje qytetarëve të mos i përdorin këto mjete të rrezikshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore