Motra e qiradhënësit të Albin Kurtit, e para në listë për Kryeshefe të KPM-së

SHFLETO

Shtepia me qera e Albin Kurtit

 

Dini Fetahu
25.06.2024 13:06
Loading Icons...

Listës së kandidatëve të përzgjedhur për pozitën e Kryeshefit Ekzekutiv të Komisionit të Pavarur për Media (KPM), i prinë Herolinda Zagragja Goçi, motra e qiradhënësit të Albin Kurtit (shtëpisë ku banon kryeministrit në lagjen Taslixhe).

Këtë e ka bërë të ditur mediumi “Periskopi”, pasi që ka siguruar listë e kanidatëve për pozitën e Kryeshefit Ekzekutiv të KPM-së.

Zagragja Goçi, aktualisht është udhëheqëse e Divizionit për Ankesa dhe Përfaqësim në Komisionin e Pavarur për Media.

Konkursi për këtë pozitë në KPM ishte hapur në prill të këtij viti. Ky kishte qenë konkursi i dytë, pasi që i pari ishte anuluar.

Kjo vjen në një kohë kur pushteti i Lëvizjes Vetëvendosje është duke bërë përpjekje, ashtu siç kanë ngritur shqetësimin anëtarët e shoqërisë civile, për ta kapur këtë institucion.

Në këtë drejtim është paralajmërimi për ndryshimet në Projektligjin për KPM-në.

Duke folur për këtë çështje, juristja e së drejtës së medias, Flutura Kusari, kishte thënë se qeveria ka për qëllim që përmes Projektligjit për Komisionin e Pavarur të Mediave, i cili është dërguar në zyrë të Kurtit, të kontrollojë mediat dhe të kap KPM-në.

“Projektligji është draftuar nga Zyra e Kryeministrit Kurti. Qëllimi i ndryshimit të këtij projektligji është kontrollimi i mediave online dhe kapja politike e KPM-së. Nuk ka asnjë qëllim tjetër”, kishte shkruar Kusari në Facebook.

“Së bashku me AGK dhe KSHMK patëm thirr konferencë për shtyp në të cilën patëm thënë që projektligji shkelë në mënyrë flagrante standardet e Këshillit te Evropës, Bashkimit Evropian dhe OSBE”, shtoi.

Çfarë thuhet në Projektligjin e ri për Komisionin e Pavarur për Media?

Me Projektligjin e ri për Komisionin e Pavarur për Media, Qeveria e Kosovës, në mënyrë indirekte përmes KPM-së do t’i kontrollojë, t’i monitorojë dhe në rast nevoje edhe t’i ndëshkojë mediat online që ofrojnë përmbajtje të videove.

Në Kosovë, KPM deri më tani ka rregulluar televizionet, radiot dhe operatorët kabllor, ndërkaq mediat e shkruara/online janë vetë-rregulluar nëpërmjet Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës – një praktik e përhapur gjithandej në rajon e Evropë.

Por, një gjë e tillë do të ndryshojë në momentin që iniciativa ligjore e hartuar nga ekzekutivi kosovar të hyjë në fuqi në Kuvend me votën e deputetëve.

Ngase mediat online, do t’i nënshtrohen licencimit shtetëror e paraparë në nenin 24 të Projektligjit për Komisionin e Pavarur për Media.

Një ndryshim i tillë u cilësua si “radikale” nga ana e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, i cili kërkoi që Qeveria të heqë dorë nga ky projektligj, ngase sipas AGK-së, ky projektligj është “tentativë” për kontroll shtetëror të mediave online.

Me projektligjin në fjalë mediat online përveç licencimit shtetëror do të detyrohen edhe të regjistrohen në regjistrin e mediave online, i cili do të menaxhohet nga KPM-ja.

Mediat online, sipas kësaj iniciative ligjore, do të mund edhe të gjobiten deri në 40 mijë euro, gjobë kjo që sipas AGK-së mund të arrijë të mbyllë secilin medium online që operon në Kosovë.