Kosova

Motra e Fitore Pacollit ndalon punimet në “Rrugën A” në Prishtinë, vendos masë të përkohshme


Rruga A

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, vendimin e Gjykatës Komerciale për t’i ndalë punimet në “Rrugën A”, e ka konsideruar si një vendim që është i bazuar në interesa politike e grupe interesi, pasi që gjyqtarja që e ka marrë këtë vendim është motra e deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli.

“Sapo u njoftova nga mediet se shkalla e parë e Gjykatës Komerciale, paska marrë vendim në bazë të të cilit ka atakuar rëndë interesin publik të qytetarëve të Prishtinës, duke i ndaluar punimet në projektin më strategjik të Kryeqytetit dhe momentalisht të Kosovës, ‘Rrugën A’ (Jim Xhema)”, ka shkruar Rama në Facebook.

Vendimi i sotëm, pohon Rama, “i bazuar plotësisht në interesa politike dhe të grupeve të interesit, të cilat me çdo kusht po përpiqen ta bllokojnë transformimin e Prishtinës, është marrë nga, hiç më pak sesa motra e deputetes së VV-së Fitore Pacolli, gjyqtarja Vlora Pacolli”.

Perparim Rama

Ndonëse thekson se nuk është i prirur që të komentoj vendimet e gjyqësorit, në rastin konkret, sipas Ramës, “nuk ka asnjë logjikë të vendoset masë e përkohshme në kundërshtim me interesin publik dhe ndaj një projekti që ndërlidhet edhe me mbrojtjen e jetës e shëndetit të mijëra qytetarëve të lagjes “Mati”, “Kalabria” dhe “Prishtina e Re”, të cilët me vite të tëra po vuajnë nga kundërmimi për shkak të mungesës së kolektorit”.

Andaj, theksoi ai, “shpresoj se Dhomat e Shkallës së Dytë të Gjykatës Komerciale nuk do të lejojnë cenimin e interesit publik për interesa të ngushta dhe inate politike”.

I pari i Prishtinës ka kërkuar nga Këshilli Gjyqësor që të sigurojë që “ky proces të jetë i drejtë, profesional, i paanshëm, dhe i bazuar vetëm në ligj”.

Për këtë rast ka reaguar edhe deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës – parti kjo që udhëheqë me kryeqytetin – Doarsa Kica.

“Kur del MOTRA e deputetes së VV Fitore Pacolli, gjyqtarja Vlora Pacolli, dhe vendos masë të përkohshme për ti ndalur punimet e ‘Rrugës A’ në Prishtinë – A është KJO drejtësia që ju donit?”, shkroi Kica në Facebook.

“Që fatin e rrugës përfundimi i së cilës është VITAL për qytetarët e Prishtinës ta vendos MOTRA e deputetes së pushtetit që ka humbur Prishtinën?”, vazhdoi pyetjet.

Tutje, deputetja Kica theksoi se që nga kryeministri Albin Kurti, e tek të gjithë vartësit e tij, “nuk ka pasur rast të vetëm kur nuk i janë vërsulur sistemit të drejtësisë, sot fshihen paturpësisht në heshtje pas njërit prej skandaleve më flagrante të gjyqësorit”.

“E kam thënë dhe e them prapë, KURRË nuk lëshohem në diskutime të rasteve aktive në gjykata, por KJO ka tjetër dimension”.

Kjo, sipas saj, “është e frikshme”.

“E tmerrshme! E pafalshme të kalohet pa dënim nga çdo qytetar i Kosovës e veçanërisht ÇDO qytetar i Prishtinës”.

Sipas deputetes Kica vendimet e mëvonshme “pak kanë rëndësi”, pasi që vlerëson se “ky rast tanimë është kontaminuar”.

Ndryshe nga zyrtarët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, këtë vendim e kanë mirëpritur partia më e dytë më e madhe në Prishtinë, Lëvizja Vetëvendosje.

Nga kjo parti, thanë se “vendimi i sotshëm i Gjykatës Komerciale është pasojë e qasjes së vazhdueshme anti-institucionale dhe anti-ligjore të ekzekutivit të Komunës së Prishtinës”.

Reagimin e kryetarit të Prishtinës Rama, i cili akuzoi se ky vendim është marrë me ndikim politik, pasi që gjyqtarja është motra e deputetes Pacolli, nga qendra e LVV-së në Prishtinë thanë se është për “çdo kritikë dhe për t’u dënuar reagimi i tij në lidhje me këtë çështje”.

“Etiketimi i gjyqtares së rastit dhe deklarimi se vendimi është politik e ka për qëllim bllokimin e projekteve në Prishtinë, është tendencë e Përparim Ramës për ta mbuluar dështimin e vet të pashmangshëm dhe tashmë evident”, pretenduan ata.

“Shpresojmë në trajtim të shpejt dhe të drejtë të çështjes meritore të rastit nga ana e Gjykatës Komerciale, në mënyrë që rruga A, si një projekt jetik i banorëve të asaj zone dhe i rëndësisë së veçantë për Kryeqytetin, të finalizohet dhe të jetë në shërbim të qytetarëve”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore