Shqipëria

Moti i keq, Krifca: Hidrovoret në funksion të plotë, rritja e nivelit të ujit nuk ka krijuar probleme


“Të gjithë hidrovoret janë në funksion të plotë dhe po punohet për mbajtjen e niveleve normale të ujit, megjithëse kemi rritje të prurjeve të ujit në kolektorët kryesor, që përcjellin ujin te hidrovoret”.

Ky ka qenë reagimi i ministres së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural në Shqipëri, Frida Krifca, për sa i përket motit të keq dhe reshjeve të dendura të shiut.

Krifca ka bërë me dije, nëpërmjet një postimi në median sociale Facebook, se deri më tani nga inspektimet në terren të Drejtorive të Ujitjes dhe të Kullimit Lezhë, Durrës, Fier dhe Korçë, “rezulton se sasitë e konsiderueshme të reshjeve të rëna gjatë natës dhe që ende vazhdojnë, kanë ndikuar në rritjen e nivelit të ujit në infrastrukturën e kullimit, por pa krijuar probleme”.

Ajo, gjithashtu, ka theksuar se nivelet e lumenjve nuk përbëjnë shqetësim për dalje nga shtrati apo përmbytje.

Ministrja në përfundim tha se stafet teknike të Drejtorive të Ujitjes dhe Kullimit janë në terren dhe po monitorojnë nga afër situatën.

“Ndërhyrja me ekskavator, në rast të bllokimit nga papastërtitë e kanaleve kulluese, si dhe po vlerësohen në mënyrë dinamike nivelet e lumenjve”, mbyllet njoftimi i Ministres.

Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar probleme dhe përmbytje në Shqipëri. Përkatësisht për shkak të lartësisë së dallgëve – 1.5-2.5 metra – lundrimi në Vlorë është anuluar për mjetet e vogla dhe anijeve të peshkimit.

Autoriteti Rrugor Shqiptar ka njoftuar se të gjitha akset rrugore janë të kalueshme dhe ka apeluar për respektim sinjalistike dhe reduktim shpejtësie për shkak të lagështisë në rrugë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore