Shqipëria

Mostakimi me Ramën shpërfaqë mendësinë e Kurtit “për përçarjen e shqiptarëve”: Veprimet e kryeministrit i bëjnë dëm Kosovës


Albin Kurti dhe Edi Rama

Është hera e dytë që Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, vjen në Kosovë, por që homologu i tij Albin Kurti, nuk e pret në takim, derisa sipas njohësve të zhvillimeve politike dhe eksponentëve të opozitës, këto veprime të kreut të ekzekutivit kosovar po e shpërfaqin mendësinë e tij “të përçarjes së shqiptarëve”.

Të prononcuarit e Albanian Post, kanë vlerësuar se kjo qasje e Kurtit në raport me Ramën është vetëm në dëm të interesave të Kosovës, dhe asgjë tjetër.

Të hënën, Rama qëndroi në Prishtinë, pasi që mori pjesë në konferencën “Rugova dhe Perëndimi”, e organizuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), për nder të 25-vjetorit të çlirimit të Kosovës.

Përveç kësaj, ai u takua me presidenten Vjosa Osmani, dhe me kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama, i cili ia dha Kryeministrit të Shqipërisë edhe çelësin e kryeqytetit, por jo me Kurtin.

E gjithë kjo, sipas nënkryetarit të LDK-së, Lutfi Haziri, ka ndodhur për shkak se në mënyrë absolute, Kurti po vazhdon të sillet “papërgjegjshëm” karshi raporteve brenda shqiptare, në veçanti me kryeministrin Rama.

Sa i përket Ramës, Haziri, në një prononcim për Albanian Post, thekson se nuk e meriton trajtimin që po ia bën Kurti, derisa shton se kryeministri shqiptar “ka një rol tjetër tanimë, dhe si kryeministër dhe si Republikë e Shqipërisë karshi zhvillimeve rajonale në Evropë Juglindore në raport me BE dhe NATO-n”.

“Fatkeqësisht Kurti vazhdon të përfaqësojë mendësinë e ndërhyrjes, përçarjes e fragmetizimit të shqiptarëve kudo që janë bashkë, për interesa të protagonizmit të tij, dhe e ka targetu Ramën si problemin e tij personal në këtë fushë”, potencon numri dy i LDK-së për AP.

Fatkeqësisht, në prizmin e tij, “po i degradon raportet e Tiranës dhe Prishtinës”.

Që nga ardhja e Kurtit në pushtet, raportet me Ramën kanë qenë të tensionuara, në disa raste ka pasur edhe përplasje publike për çështje të caktuara.

Kjo kishte nisur nga Kurti, i cili, në cilësinë e kryeministrit, kishte bërë fushtaë në Shqipëri për të rrëzuar Ramën nga pushteti, por ky i fundit e kishte injoruar fillimisht këtë veprim të homologut të tij nga Kosova.

Në vazhdën e kësaj, eksponentë të Lëvizjes Vetëvendosje, partisë që udhëhiqet nga Kurti, kishte pasur vazhdimisht kritika ndaj Ramës, posaçërisht gjoja për “afërsinë me Serbinë”.

“Edi Rama është Kryeministri që kanë zgjedhur Shqiptarët tash e tri herë me radhë. Sentimentet dhe preferencat personale pushojnë në momentin kur pranohet funksioni shtetëror”, thotë Vlora Çitaku, Sekretare e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), në një bisedë për AP.

Raportet me Shqipërinë, pohon Çitaku, “janë më të thella e më të fuqishme se çfarëdo mospajtimi i përkohshëm”.

“Ne mund të mos pajtohemi me Kryeministrin Rama rreth 1 çështje, por pajtohemi për 99 tjera”.

“Kam qenë vet dëshmitare e shumë situatave jo të lehta për Kosovën, dhe e kam parë me sytë e mi, edhe e kam dëgjuar me veshët e mi, mbështetjen që i jep Kryeministri Rama Kosovës. Dorën në zemër, shpesh edhe me më shumë elokuencë se ne vet”, shtoi.

Ajo kërkoi nga eksponentët e pushtetit që të mos krijojnë “gogola”. “Mos krijoni armiq të paqenë”.

Ndërsa, sipas analistit politik nga Shqipëria, Altin Gjeta, kryeministrat Rama dhe Kurti duket se janë përfshirë tashmë “në një rivalitet për influencë në hapësirën shqiptare”, dhe, në vlerësimin e tij, “fakti që nuk po e fshehin më akullin mes tyre, tregon se nuk i bashkon asnjë çështje me interes reciprok”.

“Kjo marrëdhënie e ngrirë mes Ramës dhe Kurtit po dëmton marrëdhëniet ndërshtetërore pasi ka pak ose aspak koordinim mes palëve në politikën e jashtme dhe të sigurisë në një kohë krizash dhe kundërshtish mes perëndimit dhe Rusisë apo Kinës”, thotë Gjeta për AP.

Por, përkundër se raportet mes tyre janë të tensionuara aktualisht, analisti politik paralajmëron se të njëjtat mund të rriten me afrimin e zgjedhjeve në vendet përkatëse, “pasi do të mundohen të minojnë pozitat e njëri-tjetrit nga brenda”.

“Nga kjo krisje, faktori shqiptar humbet peshë politike në rajon. Sfidat me të cilat përballet veçanërisht Kosova në avancimin e shtetësisë kërkojnë një qasje të unifikuar dhe strategjike, çka ka munguar nën qeverisjen e kryeministrit Rama dhe kryeministrit Kurti”, potencon ai.

Ndryshe, që nga koha kur Albin Kurti ka ardhur në pushtet në Kosovë, raportet me Shqipërinë asnjëherë nuk kanë qenë në nivelin më të ulët.

Nga Qeveria e Kosovës e kishin kritikuar ashpër kryeministrin Rama, kur ai kishte propozuar një draft-statut të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Ndërsa, kulimin e kritikave që pushteti në Kosovë e kishte pasur për Ramën, kishte qenë pasi që ky i fundit kishte anuluar një ditë para se të mbahej, mbledhjen në mes të dy qeverive, në një kohë kur Kosova ishte nën kritika – më të ashpra se kurrë më parë – nga bashkësia ndërkombëtare për shkak të veprimeve në Veri të vendit – të banuar me shumicë serbe.

Sa i përket arsyetimit për mos takimin e së hënës, nga ekzekutivi kosovar kanë thënë se Rama në Kosovë po i takon ata me të cilët konsideron që ka nevojë që t’i rregullojë raportet.

Përkundër se është parë qartazi se raportet mes Ramës dhe Kurtit nuk janë në nivelin e duhur, ky i fundit vazhdimisht ka tentuar që ta mohojë një gjë të tillë, duke thënë se kanë relacione të mira me homologun e tij nga Shqipëria.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore