Sport

Mospranimi i boksierëve kosovarë në Serbi, Rohde: Ballkani nuk është i hapur por, i mbyllur


Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka reaguar pas ndalimit të hyrjes së boksierëve kosovarë në Serbi për të marrë pjesë në Kampionatin Botërorë të Boksit duke potencuar se,”kjo fatkeqësi është një shembull që Ballkani nuk është i hapur por, i mbyllur”.

“Politizimi i sportit nuk është kurrë një ide e mirë. Parandalimi i pjesëmarrjes së boksierëve të Kosovës në kampionatin Botëror të Boksit shkon në drejtim të kundërt”, ka shkruar Rohde në Twitter.

Sipas ambasadorit gjerman, shkëmbimet intelektuale, kulturore, sportive e artistike shërbejnë në ndërtimin e mirëkuptimit të ndërsjellë si dhe në pajtimin afatgjatë në mes të shoqërive.

Edhe Bashkimi Evropian kishte reaguar për çështjen e boksierëve kosovarë duke e mbështet kërkesën e Asociacionit Ndërkombëtar të Boksit që Federatës së Boksit të Kosovës t’i mundësohet pjesëmarrja e barabartë në gara.

Ndërsa Ministri i Kulturës Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku, kishte kritikuar mungesën e reagimit të BE-së ndaj vendimit të Serbisë për mos pranimin e boksierëve kosovarë brenda territorit të saj.

“Kemi kërkuar reagim edhe nga BE-ja, e cila në raste të tjera ka qenë shumë e kujdesshme gjatë reagimeve, por, për çudi, deri më tani nuk ka pasur asnjë reagim për shkelje të pastër të të drejtave themelore të sportistëve”, theksoi Çeku.

Ai madje kishte paralajmëruar se, gjatë kësaj jave, Kosova do të vendosë për ndalimin e zhvillimit të “aktiviteteve sportive paralele serbe”.

Sipas tij, në Kosovë funksionojnë shumë struktura paralele të federatave serbe, në kundërshtim me ligjet e Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore