Lajme

Moslejimi i Referendumit në Kosovë, serbët protestojnë në Mitrovicë


Protesta e serbëve në Mitrovicën Veriore

Në orët e hershme të mëngjesit të 16 janarit serbët në pjesën Veriore të Kosovës duke e shprehur pakënaqësinë e tyre për moslejimin e mbajtjes së Referendumit në Kosovë kanë organizuar një protestë simbolike në sheshin “Car Lazar”, të Mitrovicës Veriore.

Kësaj proteste i ka paraprirë kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiç, deputeti Igor Simiç si dhe kryetarët e komunave Veriore të vendit.

Protestuesit në fjalë kanë improvizuar një kuti votimi ku në të kanë hedhur në mënyrë simbolike votat e tyre për Referendumin e cila po mbahet këtë të diel në Serbi.

Mes tjerash protestuesit kanë mbajtur në duar pankarta me mbishkrimet, “Serbët nga Kosova janë fuqishëm me shtetin e tyre Serbinë”, “Votoj për paqe jo për terror”, “Edhe serbët kanë të drejtat njerëzore”.

Protesta e serbëve në Mitrovicën Veriore

Më 12 janar të këtij viti Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti përmes një bisede telefonike ia kishte bërë të qartë Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian për Politik të Jashtme, Josep Borrell se Serbet në Kosovë të cilët kanë shtetësi të dyfishtë mund të votojnë në referendumin e Serbisë nëpërmjet postës apo në zyrën ndërlidhëse në Prishtinë, e assesi brenda territorit të Kosovës.

Reagimi ndaj qëndrimit të parit të ekzekutivit qe e menjëhershme nga ana e shteteve të QUINT-it të cilët përmes një komunikate të përbashkët kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të mundësojë që serbet në Kosovë të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës në zgjedhjet dhe procese zgjedhore në përputhje me këtë praktikë të vendosur.

Qëndrimi i shtetit të Kosovës në lidhje me mos-lejimin e zhvillimit të referendumit serb në Kosovë ishte ri-konfirmuar edhe pas takimit që krerët institucional të vendit kishin pasur me ambasadorët e QUINTI-it të premten e 14 janarit.

“Hapja e qendrave të votimit të Serbisë në territorin e Kosovës përbën shkelje të qartë të Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës, si dhe praktikave ndërkombëtare”, thuhej mes tjerash në deklaratën e përbashkët të tre liderëve të shtetit, Vjosa Osmani, Albin Kurti dhe Glauk Konjufca.

Mos-lejimi i organizimit të referendumit serb në Kosovë u betonua edhe me miratimin e një rezolute nga ana e Kuvendit të Kosovës, të shtunën e 15 janarit ku 76 deputetët kosovarë në një seancë të jashtëzakonshme një zëri votuan për rezolutën e cila konfirmoi qëndrimin e shtetit të Kosovës për parandalimin e Referendumit serb në Kosovë.

“Kuvendi i Republikës së Kosovës si përfaqësues i qytetarëve të Republikës së Kosovës shpreh qëndrimin e përbashkët se organizimi i referendumit të Republikës së Serbisë në Republikën e Kosovës, cenon sovranitetin dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës si dhe është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, ligjet e Kosovës si dhe normat dhe praktikat ndërkombëtare”, thuhej në njërën ndër tetë pikat e rezolutës, të harmonizuar mes 4 grupeve parlamentare në Kuvendin e Kosovës.

Ndryshe pasditen e së shtunës së 15 janarit automjetet të blinduara të Njësive Speciale Operative të Policisë së Kosovës janë parë duke qarkulluar në qytetin e Mitrovicës.

Ekipet e Njësive Speciale Operative u është kërkuar të jenë në gjendje gatishmërie në rast se kërkohet ndonjë ndërhyrje, nëse tentohet të mbahet ilegalisht referendumi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore