Shqipëria

“Mos i vrisni gratë”, 21 vite më vonë


Femicidi nuk është asgjë më tepër se vrasja e një personi me bazë gjinore. Femicidi nuk është një pjesë apo veçse një aspekt i dhunës apo pasigurisë së vajzave apo grave: është tabloja e frikës me të cilën ato jetojnë çdo ditë.

Pra, përforcimi i “figurës” së burrit në një shoqëri tejet “maskiliste”. Viktima më e fundit në Shqipëri ishte Liljana Buzo. Ajo është gruaja e rradhës që nuk arriti dot t’i shpëtonte vrasjes nga bashkëshorti.

“Ka 30 vite që gratë vriten”, kështu shprehet për Albanian Post aktivistja për të drejtat e grave dhe presidentja e Useful to Albanian Women, Sevim Arbana. Sipas saj këmbana e parë që është bërë publike, duke ngritur fort zërin me thirrjet asokohe “Mos i vrisni gratë” ka ndodhur në vitin 2000.

Arbana kujton kohën kur vritej Erjeta Avdyli ish-punonjëse e UNICEF-it, Irena Seli, apo pak më vonë vajzë 16 vjeçare nga Bërxulla, Fiqirete. Ajo shkonte në pub dhe babai e kishte fejuar që në djep dhe jetonte shumë pak kilometra larg Tiranës.

Erjeta Avdyli

Çdo ditë dëgjojmë se si vriten e priten gratë, me sëpatë, me armë të ngrohta e të ftohta. Ku na çojnë këto krime, ku na çojnë? Prandaj është koha t’i thuhet stop kësaj dhune”! Kështu do të shprehej në një nga intervistat e saj 13 vite pas vrasjes Remzie Sokoli, e ëma e Erjeta Avdylit.

Trupi i Erjetës u zhduk në marsin e vitit 2000 dhe u gjend pas 45 ditësh. Asokohe policia arrestoi bashkëshortin e saj, por më pas u la i lirë për mungesë provash.

Arbana shprehet se kalvari i vrasjes së grave pastaj vazhdon në mënyrat më të tmerrshme derisa arrin një shifër marramendëse. Rekordi negativ në Shqipëri është 18 gra brenda një viti. Në vitin 2012 janë vrarë 13 gra, në vitin 2013 vijoi me 8 gra, dy vite më vonë janë 9 gra të vrara.

“Tani jemi në maj 2021 dhe deri më tani janë vrarë 6 gra”, kujton Arbana. Ajo shton se ky është një femicid, “një fenomen sa botëror aq edhe shumë shqiptar sepse nëse krahasojmë të dhënat, janë ata që thonë që edhe në botë vriten gratë”.

Sevim Arbana

“Po, edhe në botë vriten gratë, por duhet të shohim numrin e vrasjeve në raport me popullsinë”, thotë Arbana.

Sipas saj në Shqipëri realisht “kemi denoncime të pafundme të grave që denoncojnë dhunën”. Fatkeqësisht, ajo thotë se mbas denoncimit shumica prej tyre përfundojnë sërish si viktima të  dhunës, shumica e tyre mbyllin këto padi, disa marrin urdhër mbrojtjeje por sërish ngelen viktima të dhunës ose përfundojnë në rrugë të tjera shumë të këqija.

Lidhur me kuadrin ligjor kontaktuam juristen Ardita Sokoli, e cila na zbuloi se cili nen e parashikon vrasjen për shkak të marrëdhënieve familjare. Sipas Sokolit, Neni 79/c me rregullimin e vitit 2013 parashikon që vrasja me dashje e personit që është bashkëshort, ish-bashkëshort, bashkëjetues me autorin e veprës penale dënohet me burgim jo më pak se njëzet vjet ose burgim të përjetshëm.

Por pyetjes sonë mbi rastet problematike të fillim viteve 2000 apo mungesën totale të zbardhjeve të femicidit në vitin 2012, Sokoli prek të njëjtën plagë si Arbana.

“Të gjitha raportimet apo denoncimet, kanë pasur fakte dhe evidenca që e bëjnë të qartë se vrasja ka qenë bashkëshortore. Rasti i Avdylit është një rastet me flagrante ku as prokuroria dhe as policia nuk kanë bërë detyrën e tyre kundrejt një krimi makabër, që i hapi rrugën shumë krimeve të tjera në familje”.

Krim në familje në qytetin e Durrësit.

Ndërsa për Arbanën i gjithë kuadri ligjor ndonëse, në kuadrin e gjithë përpjekjeve ka qenë realizimi i ligjit që në 2006.

“Ne arritëm të krijojmë ligjin kundër dhunës ndaj grave, i cili qe me vërtetë një ndihmesë shumë e madhe për të gjitha gratë që vuanin dhunën”.

Arbana sjell në vëmendjen vitin 2011 ku dhuna arriti të kanalizohej dhe të bëhej vepër penale.

“Ne e amenduam ligjin që mbrojtja e grave të bëhej e vlefshme që në momentin e parë të denoncimit, nga ana e autoritetit të policisë”.

Sipas saj, kuadri ligjor dhe problematikat e ndërhyrjes policore ka tre pika që janë kyçi i luftës dhe i suksesit për të ndalur këtë fenomen.

“Së pari ne nuk kemi arritur të kemi një edukim masiv të grave në rradhë të parë, por edhe të burrave dhe të gjithë fëmijëve, për dhunën dhe barazinë gjinore. Së dyti, nuk arritëm të bëjmë një kuadër ligjor efektiv, i cili do t’i shërbente realisht të gjithë këtyre viktimave dhe familjeve të tyre. Së treti është fuqizimi ekonomik i grave që ngeli në letër për 20 vite rradhazi”.

Sakaq, “gratë që vriten përgjithësisht por edhe viktimat e dhunës, janë gra të varfëra, të pashkolluara, të papuna, të cilat në rrethana të caktuara nuk mund të largohen nga shtëpia”, shton Arbana.

Duke iu kthyer problematikës së kuadrit ligjor, ajo thekson se fenomeni i dhunës është mbështetur në një farë mënyre nga kuadri ligjor, i cili ka favorizuar kriminelët në forma të ndryshme. Korrupsioni në sistemin gjyqësor, sipas saj, ka qenë shumë lehtësues për burrat vrasës dhe burrat dhunues që të korruptojnë një gjyqtar/e dhe është shumë e vështirë për një grua që të shkonte e vetme drejt dyerve të një gjykate dhe të merrte një avokat.

Pra, gjykatat, kujton Arbana, me seancat dhe vendimet e tyre të zvarritura dhe formale, qoftë edhe kur jepnin urdhra mbrojtjeje, të gjithë aktorët e mekanizmit të referimit, siç janë një sërë institucionesh si policia, nuk funksionojnë.

“Gratë me urdhër mbrojtjeje, të cilat janë të shumta, shumica prej tyre janë vrarë. Këto gra nuk kanë gjetur mbështetjen e Shtetit, mbështetjen e institucioneve shtetërore, kanë jetuar sërish me dhunuesin. Ajo që ne do duhet vërtet të përqendrohemi realisht është ligji, sa zbatohet, si zbatohet dhe ku çalon dhe e dyta, i gjithë kuadri mbrojtës i grave që janë vërtet në risk”.

Irvana Hyka

Më 18 mars të këtij viti, Irvana Hyka, bashkëshortja shtatzëne dhe nënë e dy fëmijëve të mitur e Demokrat Medinajt, u gjend nga policia, e pajetë dhe e masakruar. Sipas raportimeve bashkëshorti e qëlloi viktimën 31 herë me thikë 28-vjeçaren.

Kjo ngjarje makabre, sillte edhe njëherë vëmendjen te gruaja, sesa vulnerabile është ajo në shoqërinë shqiptare.

Sipas të dhënave në raportet e INSTAT-it, në vitin 2019, mbi dhunën ndaj grave dhe vajzave, tregohet se shumica e grave, të cilat përjetojnë dhunë nga partneri, nuk kërkojnë ndihmë.  Megjithëse, shumica prej tyre i tregojnë dikujt për përvojat e dhunës.

Pjesa më e madhe e tyre, sipas INSTAT-it, kërkojnë ndihmë nga familjet e tyre dhe rrjetet informale, miqtë, fqinjët dhe, në disa raste, edhe nga udhëheqësit fetarë.

Megjithatë, shumë pak gra kërkojnë ndihmë nga burime zyrtare, si shërbimet mbështetëse për viktimat të ofruara nga agjencitë, sistemi shëndetësor, policia ose sistemi i drejtësisë.

Nga ky trend, përfshi normat sociale, të cilat lidhen me dhunën në familje ndaj grave nga partneri intim, 75,4% e grave raportuan se dhuna në familje ose në marrëdhëniet bashkëshortore është një problem madhor në Shqipëri.

Ndërkohë studimi nxjerr në pah se 70,8% e grave pohuan se dhuna seksuale ndaj grave dhe vajzave është një problem madhor në Shqipëri.

Ngjarja e Fierit sjell në vëmendje problematikën që fillon që me martesat me mblesëri dhe përfundon te shkatërrimi i familjes për atë që pason krimin, fëmijët e çiftit.

Statistikat dhe vlerësimet e botuara para disa ditësh nga OBSH-ja tregojnë se globalisht 1 në 3 gra, pra rreth 30% prej tyre, në të gjithë botën i janë nënshtruar dhunës fizike ose seksuale të partnerit, ose dhunës seksuale nga të panjohur gjatë jetës së tyre.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore