Pajisje

Mos e vendosni iPhone-in në oriz, thotë Apple teksa sugjeron një tjetër zgjidhje


Kur telefoni bie në kontakt me ujin, ndoshta ‘ilaçi’ më i njohur popullor është vendosja e pajisjes në një qese me oriz.

Orizi i thatë dhe absorbues ndihmon në thithjen e lagështirës, duke shpëtuar pajisjen, kështu që teoria duket e zbatueshme.

Por ekspertët kanë vënë në dukje prej vitesh se kjo është një ide e keqe – dhe tani Apple po i paralajmëron zyrtarisht përdoruesit që të mos e bëjnë.

“Mos e vendosni iPhone-in tuaj në një qese me oriz. Të bësh këtë mund të lejojë që grimcat e vogla të orizit të dëmtojnë iPhone-in tuaj”, ka bërë me dije  kompania në një shënim të fundit.

Së bashku me rrezikun e dëmtimit, testimi ka sugjeruar që orizi i papjekur nuk është veçanërisht efektiv në tharjen e pajisjes.

E gjitha mund ta ketë origjinën në historinë e fotografisë. Metoda gjurmohet që në vitin 1946 si një mënyrë për të mirëmbajtur kamerën.

Në vitet që kaluan, përdoruesit e telefonave kanë sugjeruar metoda të rrezikshme, duke filluar nga sulmi i telefonit me tharëse flokësh deri te zhytja e tij në alkool.

Por çfarë duhet të bëni në të vërtetë?

Apple ofron udhëzime për përdoruesit që marrin një alarm “zbulimi të lëngjeve” kur përpiqen të karikojnë telefonat e tyre.

Së pari, shkëputni kabllon e karikimit në të dy skajet.

Më pas prekni telefonin “butësisht me karikuesin e kthyer poshtë për të hequr ujin e tepërt”.

Lëreni të thahet për të paktën gjysmë ore dhe më pas – nëse telefoni dhe kablloja janë “të thata plotësisht” – provoni ta karikoni sërish pajisjen.

Nëse kjo përpjekje dështon, provoni përsëri një ditë më vonë.

Dokumentacioni i ri mbështetës i Apple përfshin dy paralajmërime të tjera nëse telefoni bie në kontakt me ujin:

“Mos e thani iPhone tuaj duke përdorur një burim të jashtëm nxehtësie ose ajër të kompresuar”.

“Mos futni një objekt të huaj, të tillë si pambuk ose letër”.

Nëse telefoni juaj nuk funksionon fare, fikeni menjëherë dhe mos shtypni asnjë buton.

Hapat e mëtejshëm varen nga rrethanat tuaja specifike, por në përgjithësi: thajeni me një peshqir dhe vendoseni në një enë hermetike të mbushur me pako silicë nëse i keni.

Mos e karikoni derisa të siguroheni se është tharë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore