Sport

Morata jep sinjale largimi nga Atletico: Nuk mund të qëndroj në Madrid nëse…


Alvaro Morata

Alvaro Morata ka dërguar një sinjal për klubet e Serie A që të trokasin në derë pasi paralajmëroi se “nuk mund të qëndrojë te Atletico Madrid nëse nuk do të luaj”.

Sulmuesi aktualisht po përgatitet për pjesëmarrjen e Spanjës në Euro 2024, në të njëjtin grup me Italinë, Kroacinë dhe Shqipërinë.

“Unë shoh se çfarë është në media dhe drejtorët e dinë se për çfarë po flas, kështu që do ta them qartë”, tha Morata për “El Larguero”.

“Nuk kam folur me askënd, por nëse shoh që Atleti dëshiron të nënshkruajë me tetë sulmues, kam përshtypjen se nuk jam prioriteti në klub”.

“Unë jam 31 vjeç, do të jem 32 në tetor, kështu që nuk mund të qëndroj te Atletico Madrid nëse nuk do të luaj”, theksoi spanjolli.

Ai tashmë ishte lidhur me një qëndrim të tretë te Juventus-i, por gjithashtu potencialisht një lëvizje te Milan-i apo Roma, pasi të gjithë ata janë në kërkim të qendërsulmuesve.

Një rikthim në Itali do të ishte opsioni i tij i preferuar, pjesërisht për shkak të suksesit të tij të mëparshëm në Serie A, por edhe pasi gruaja e tij Alice është italiane.

Ekziston një klauzolë lirimi prej 15 milionë euro në kontratën e tij dhe për të luajtur rregullisht, Morata mund të pranojë një pagë shumë më të ulët prej vetëm 4-5 milionë euro në sezon.

Sipas “Calciomercato.com”, kjo është afërsisht gjysma e pagës së tij aktuale në Madrid.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore