Kosova

“Moment kritik”, Chollet: Kosova ta themelojë Asociacionin


Derek Chollet

Këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, tha se Qeveria e Kosovës duhet t’i përmbushë të gjitha obligimet që ka marrë përsipër me Marrëveshjen e Brukselit në vitin 2013, rrjedhimisht themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Në një takim me një grup të gazetarëve kosovarë, siç transmeton Radio Evropa e Lirë, ai tha se “Kosova duhet të përmbushë të gjitha zotimet në kuadër të dialogut, përfshirë edhe formimin e Asociacionin e komunave me shumicë serbe”.

Njeriu i cili deri më tash dërgonte mesazhe në Prishtinë e Beograd përmes Twitter-it, shtoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës në asnjë formë nuk e mbështesin një krijesë të re siç është Republika Srpska – entiteti serb në Bosnje dhe Hercegovinë.

Chollet theksoi se SHBA-ja beson se dialogu është mjeti më është mjeti më i mirë për Kosovën për ta siguruar të ardhmen e saj të plotë evropiane dhe euroatlantike.

“Ne besojmë se jemi në një moment kritik. Ne besojmë se Kosova me Serbinë duke të angazhohen urgjentisht në dialogun e udhëhequr nga Bashkimi Evropian, i cili po punon drejt një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve të përqendruara në njohjen reciproke”, u shpreh ai.

“Cikli i stagnimit”, Chollet: Marrëveshja me Serbinë duhet ta ketë njohjen në qendër

Këshilltari i lartë në Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, ka deklaruar se marrëveshja finale mes Kosovës e Serbisë në kuadër të dialogut, duhet të ketë në qendër njohjen reciproke.

Pas takimeve që ka pasur gjatë ditës me krerët e institucioneve dhe liderët e partive opozitare në Kosovë, ai tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk dëshirojnë të kthehen më në “menaxhim krizash”.

“Dëshirojmë të thyejmë ciklin e stagnimit. Nuk dëshirojme të jemi në një situatë të menaxhimit të krizave, siç ndodhi në kuadër të periudhës së Krishtlindjeve në veri. Kosova duhet të angazhohet për marrëveshje me Serbinë, e cila duhet ta ketë njohjen në qendër”, tha Chollet, transmeton gazeta 10.

Ndërkaq, nëse ktheheni pas dhe shikoni ngjarjet kryesore diplomatike që karakterizuan tridhjetë vitet e fundit në rajonin e Ballkanit, diplomati amerikan i ka përjetuar të gjitha – ai ka ndihmuar në formësimin e politikës së jashtme amerikane.

Chollet ka folur për lidhjen e tij të veçantë me Kosovën, duke kujtuar kështu punën me kolosë të diplomacisë si James Baker, Strobe Talbott dhe Richard Holbrooke.

“Histori e gjatë e marrëdhënieve të mia personale me Kosovën. E duam Kosovën multietnike, sovrane dhe demomratike”, deklaroi ai.

Ndryshe, nënsekretari amerikan ka qëndruar të mërkurën në një vizitë zyrtare në Prishtë ku është takuar me kryeministrin Albin Kurti dhe presidenten Vjosa Osmani.

Gjithashtu, njeriu kryesor pranë Antony Blinken-it, ka takuar edhe partitë opozitare në vend – Memli Krasniqin nga Partia Demokratike e Kosovës, Lumir Ambdixhikun nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Ramush Haradinajn nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Chollet më herët gjatë së mërkurës qëndroi edhe në Shkup, teksa pas Prishtinës do të niset drejt Beogradit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore