Kosova

Molliqaj për premtimin e Kurtit se me qeverisjen e LVV-së lirohet nafta: Populizmi kushton shtrenjtë


Dardan Molliqaj dhe Albin Kurti

“Populizmi kushton shtrenjtë”.

Kështu e ka nisur statusin e tij në Facebook, Kryetari i Partisë Socialdemokrate në Kosovë, Dardan Molliqaj, pas publikimit të listës së shpenzimeve të deputetëve për karburante, kështu duke reaguar ndaj një postimi të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili në atë botë si opozitar kishte premtuar se me ardhjen e tij në pushtet nafta do lirohet për ta shpenzuar bujqit që të punojnë tokën dhe xhipat qeveritarë do të largohen krejtësisht.

“Kompenzimi është legjitim. Mashtrimi jo. Qëndrimi fillestar për këtë çështje ka qenë moralizues. Këtu qëndron problemi”, ka vazhduar Molliqaj statusin e tij.

Postimi i Albin Kurti për lirimin e çmimit të naftës

Për Molliqaj, deklarimi i shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, se deputetët e kësaj partie do të tërhiqen nga kompensimi i shpenzimeve të udhëtimit në mënyrë vullnetare, pas reagimeve publike, ka motive populiste.

“Thirrja për disiplinë dhe shtrëngim radhësh erdhi vetëm pasi plasi skandali. Prapa tij fshihet një e vërtetë më e madhe: shtëpia e madhe, xhipat, truprojet e privilegjet tjera i takojnë vetëm Kurtit. Ai nuk ka hequr dorë prej tyre, ndërsa ndaj deputetëve të tij përdorë një standard tjetër, për ta fshehur standardin jetësor të Kryetarit”.

“Versioni zyrtar rreth çështjes së kompensimeve luan edhe funksionin e distancimit dhe disiplinimit. Në rast se deputeti gabon, kjo të mos i faturohet partisë, ndërsa nëse nuk bindet, i humb privilegjin e të qenurit me pushtet”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore