Lajme

Molliqaj – Osmanit: Barrikadat po hiqen, por në koordinim me Vuçiç-in


Dardan Molliqaj

Kreu i Partisë Socialdemokrate të Kosovës, Dardan Molliqaj, përmes një postimi të shkurtër në rrjetin social Facebook ka reaguar ndaj deklaratës së presidentes Vjosa Osmani se largimi i barrikadave në pjesën veriore të Kosovës është çështje orësh.

Ai ka kërkuar llogari nga Osmani se në bazë të cilës marrëveshje dhe çfarë koncesioni po bëhet me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, për largimin e barrikadave pas gati 20 ditësh në pjesën veriore të Kosovës.

“Barrikadat po hiqen, por në koordinim me Vuçiç-in. Zhbllokimi po ndodh, por në marrëveshje me Vuçiç-in”, vlerësoi Molliqaj.

“Krejt çka kemi marrë mësim nga ju është dyshimi në çdo gjë që thoni e veproni. Pas secilit hap politik që bëni gjendet një kompromis ose marrëveshje. Dhe kështu drejt e në asociacion”, shtoi ai.

Ndryshe, Osmani në një intervistë për “Klan Kosova” ka deklaruar se largimi i barrikadave në pjesën veriore të Kosovës është çështje orësh, por nëse nuk hiqen ato, institucionet do të veprojnë vetë.

“Pikërisht për shkak të koordinimeve dhe bashkërendimit me aleatët tanë, jam e bindur se është çështje orësh heqja e barrikadave dhe në qoftë se nuk largohen ato përfundimisht, natyrisht që duhet të ketë veprim të menjëhershëm por të dakorduar të institucioneve tona së bashku me institucionet ndërkombëtare të sigurisë”, është shprehur shefja e shtetit.

Ajo theksoi se barrikadat aktuale në 13 lokalcione të ndryshme krijuan situatën më të rrezikshme në veri ndër vite, teksa shtoi se nuk mund të tregojë nivelin e rrezikshmërisë pasi mund të rrezikohet jeta e qytetarëve, policisë, trupave paqeruajtëse të KFOR-it e EULEX-it.

“Janë vlerësime të institucioneve të sigurisë vendore e ndërkombëtare, të cilat janë vlerësime të klasifikuara, të cilat pas një jave apo më shumë edhe do të mund t’i deklasifikojmë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore