Shqipëria

Mjeku Edmond Gashi i Onkologjikut kërkon heqjen e arrestit shtëpiak


Mjeku i Onkologjikut, Edmond Gashi, së bashku me tre të dyshuar të tjerë për një skemë ku penalizoheshin pacientët e sëmurë me kancer dhe drejtoheshin te privati, ka kërkuar lirimin e tij nga arrestin e shtëpisë.

Gjatë një seance dëgjimore të zhvilluar në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Gashi ka kërkuar një masë më të butë sigurie. Rreth kësaj, Apeli do të shpallë vendimin më 18 shtator, si për Gashin, ashtu edhe për tre të dyshuarit e tjetër, Brikena Qirjazi, Halil Hashi dhe Florian Marku.

Hetimi në SPAK është regjistruar për “korrupsion”, “shpërdorim detyre” dhe “kontrabandë e ilaçeve”.

Sipas hetimeve, të dyshuarit kishin ngritur një skemë abuzive të zvarritjes së trajtimit të të sëmurëve me kancer në Spitalin Onklologjik, me qëllim dërgimin e tyre në një klinikë private.

Më 24 korrik, Gashi, i cili është nën masën e sigurisë arrest shtëpie, pasi akuzohet se drejtonte pacientët e sëmurë me kancer nga publiku në privat, forcërisht, ka kërkuar që të lehtësohet masa e sigurisë ndaj tij.

Kjo, gjatë një seance në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ku ai dhe disa mjekë të tjerë të Onkologjikut, po shqyrtohen për veprën penale shpërdorim detyre.

Sipas Gashit, janë 50 pacientë, të cilët presin të kryejnë ndërhyrje dhe ai duhet t’i kryejë ato.

“Ju lutem hiqeni masën e sigurisë, po më pengoni të ushtroj profesionin e mjekut. Janë 50 biopsi që kanë dalë dhe presin ndërhyrje”, ka thënë ai gjatë seancës.

Prokuroria e Posaçme SPAK ka kërkuar informacion nga bankat dhe hipotekat për pasuritë dhe astetet e mjekëve në kuadër të hetimit pasuror.

Hetimi sakaq ndiqet nga prokurori Elvin Gogaj. Ai ka dorëzuar kërkesat në Gjykatën e Posaçme për vlerësimin e masave të sigurisë ndaj të akuzuarve.

Nën hetim janë mjeku Edmond Gashi, kolegia e tij Alketa Pere, farmacisti Florian Marku, zëvendës drejtoresha e QSUT-së Brikena Qirjazi, koordinatori i Spitalit Onkologjik Emiljano Lela, Halil Gashi administrator i klinikës së të birit mjekut onkolog dhe Drilona Kishta ish-specialiste e QSUT-së.

Prokuroria e Posaçme (SPAK) më 18 korrik ka nisur hetimet për ngjarjen e ndodhur të Onkologjiku, ku mjekët nuk u ofronin shërbim pacientëve duke i orientuar drejt klinikave private.

SPAK kishte 10 ditë afat për të regjistruar ose jo procedimin pas shpalljes së moskompetencës nga Prokuroria e Tiranës, ndërsa hetimet po ndiqen nga prokurori Elvin Gokaj.

Ky i fundit ka çuar një ditë më parë në GJKKO kërkesën për të rivlerësimin e masave të sigurisë për të akuzuarit.

SPAK ka regjistruar hetimet për tre vepra penale, kontrabandë ilaçesh, shpërdorim detyre dhe korrupsion.

Prokuroria e Tiranës zbërtheu skemën kriminale se si mjekët dhe stafi i Spitalit Onkologjik bënin Pazar dhe drejtonin drejt privatit të sëmurët me kancer.

Edmond Gashi, mjek pranë spitalit Onkologjik në QSUNT, Emiljano Leka, koordinator pranë Spitalit Onkologjik ne QSUNT, Alketa Ymeri(Pere), mjeke pranë Spitalit Onkologjik në QSUNT, Brikena Qirjazi, Zv/Drejtoreshë në QSUNT e ngarkuar me detyra për shërbimin onkologjik, Halil Gashi, Florian Marku, administrator i Flori Farma dhe Drilona Kishta janë personat e vënë nën hetim.

Këta të fundit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, ku pacientët e sëmurë me kancer dërgoheshin për trajtim te privati.

Duke qenë të punësuar pranë Spitalit Onkologjik në QSUT, ata nuk jepnin shërbimin e duhur në spitalin shtetëror, por i adresonin pacientët në klinika private.

Disa ditë më parë, Drejtoria e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” pezulloi nga detyra mjekët e akuzuar për shkeljet në Spitalin Onkologjik, pas masave të dhëna nga Gjykata e Tiranës.

Mjekët e pezulluar janë Alketa Pere Ymeri, Brikena Qirjazi, Edmond Gashi dhe koordinatori Emiljano Lela.

Ndërkaq Gjykata la në arrest shtëpie mjekun Edmond Gashin dhe administratorin e farmacisë Florian Marku.

Për Alketa Pere Ymerin u dha masa detyrim paraqitje.

E njëjta masë u dha edhe për Brikena Qirjazi zv.drejtoreshë e QSUT, Emiljano Lela Koordinatori pranë onkologjikut, Drilona Kishta ish-specialist pranë QSUNT banuese në Amerikë, Halil Gashi administrator i klinikës Megis.

Sipas hetimit të kryer nga Prokuroria dyshohet se mjekët në bashkëpunim me njëri-tjetrin, specialistët dhe administratorin e spitalit orientonin pacientët e diagnostikuar me sëmundje tumorale në klinika private me qëllime përfitimi, duke mos u ofruar shërbimet në spitalin Onkologjik në QSUNT.

Pas finalizimit me sukses të operacionit “Rrugëtimi”, në kuadër të të cilit u ndaluan 16 shtetas gjatë sekuestrimit të barnave personave të ndaluar, u zbulua se disa prej barnave janë medikamente për përdorim spitalor, specifikisht në departamentin e onkologjisë.

Veprimet hetimore të mëtejshme në bashkëpunim me Seksionin e Luftës Kundër krimit Ekonomik e Financiar në DVP Tiranë, si dhe veprimet proaktive duke përfshirë përgjimet telefonike, vëzhgimet në terren, blerjet e simuluara, ashtu edhe me veprime te hapura hetimore, zbuluan rastet e pacientëve të ndryshëm, të cilëve nuk u jepej trajtimi i duhur mjekësor dhe drejtoheshin në klinika private.

Po kështu, nga ana e Prokurorisë u arrit të dokumentohen raste të blerjes së ilaçeve me vlera të konsiderueshme për kimioterapi nga farmaci të cilat këto medikamente i tregtonin pa pullën fiskale dhe me kod të prishur duke krijuar dyshimin në lidhje me autenticitetin e këtyre barnave.

Gjithashtu, në vijim të veprimeve hetimore rezultoi se në Spitalin Onkologjik në QSUNT u instalua një Aparaturë Kobalto-Terapie për trajtimin e të sëmurëve të diagnostikuar me sëmundje tumorale dhe sidomos të sëmundjeve të kancerit të lëkurës.

Që të përdoret Kobalto Therapy duhet të krijohet një bunker antiradioaktiv ose antiatomik në kushtet e miratuara dhe të prezantuara nga Agjencia Atomike e Vjenës ose Agjencia Ndërkombëtare që thirret IEAHEA. Hetimet zbuluan se ky bunker jo vetëm nuk u krijua por aparatura u vendos jashtë kushteve teknike.

Që nga viti 2021 kur ky aparat ka mbërritur në Shqipëri dhe deri më sot, ai jo vetëm që nuk është shfrytëzuar por është lënë në kushte të papërshtatshme duke u bërë burim rreziku ndaj vete personelit mjekësor si pasojë e rrezatimeve të mundshme që emeton kjo pajisje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore