Kulturë

“Mizozofia” e nxënësit të fundit të Migjenit


Në pritje të jetës, ngutim dëshirat për të ditur e për të kuptuar më shumë në njohje e sipër ndaj ekzistencës.

Por kemi harruar se si në fakt hera-herës duhet përmes vullnetit që të zbrazim atë dije, ose njohje thënë ndryshe – të pavlerë si shtojcë e të jetuarit në muzg.

I tillë është edhe personazhi i bisedës heterodokse mes autorit Ben Blushi dhe nxënësit të fundit të mbetur gjallë të Migjenit.

Ramadan Shkreli, njësoj si sëmundja e pashërueshme e dobësisë së Nietzche-s po pret vdekjen, ndryshe nga gjithë të tjerët krejt i paditur prej librave jo prej dijes në vetvete.

“Shkova ta takoja. Ça bën Ramadan? Nuk bëj asgjë, tha Ramadani”, shkruan fillimisht Blushi.

Edhe pse në dukje, Shkreli shfaqet si një “Prustian” që ka nisur të shkruajë nga hiçi një libër për asgjënë, ai gjallon duke treguar se ka bërë shumë punë.

“Po shkollë ke bërë Ramadan? E kam bërë shkollën në Pukë, tha Ramadani. Në çfarë viti, Ramadan? Në vitin 1936, tha Ramadani”, vijon bisedën ish-politikani.

Ndërsa rrëfen fëmijërinë, ai kujton udhëtimin më këmbë për të shkuar drejt padijes pasi ai mbante mend vetëm lëndët dhe Migjenin siç kujtonte Diogjeni i Sinopës vetëm rrugën e qenve dhe qentë e rrugës.

“Kush të jepte mësim Ramadan? Migjeni, tha Ramadani. Si ishte Migjeni, Ramadan? Ishte i sëmurë, tha Ramadani. Po tjetër çfarë mban mend nga Migjeni, Ramadan? Ishte i gjatë, tha Ramadani. Çfarë thoshte Migjeni, Ramadan ? Ishte shumë i urtë, tha Ramadani”, zbulon më tej autori.

Si një personazh krejt i kundërt nga të qenit “enfant prodige” ose fëmija i mrekullueshëm në fabulën e jetës së tij, Ramadani shtrin perspektivën e tij intelektuale, pra njohjen e vërtetë të gjërave pa i zotëruar.

E mandej çelja e antagonistit brenda vetë retorikës së të paditurit ndaj dijes.

“Kush ishte tjetër në shkollë me ty? Luli i Vocërr, tha Ramadani. Kush ishte Luli i Vocërr, Ramadan? Luli i Vocërr ishte Zenel Islami, tha Ramadani. Ku është tani Zenel Islami, Ramadan? E vranë komunistët, tha Ramadani. Po pse e vranë Ramadan? Se shkoi në Rusi, tha Ramadani. Po ti a e ke lexuar Lulin e Vocërr, Ramadan? Jo, tha Ramadani”, tregon Ben Blushi.

Në këtë pohim, Ramadan Shkreli manifeston qenien e tij, një gjendje pa fund e krye.

Ai dikton personazhet e jetës së tij, duke i marrë nga librat që nuk i ka lexuar kurrë.

Njësoj si Jacques Derrida kur u pyet për bibliotekën e tij madhështore gjatë një interviste dhe ai duke i kredhur sytë librave ndërkohë që tymoste cigaren u përgjigj shprehimisht se nuk kishte lexuar asnjë prej tyre.

“Çfarë ke lexuar nga Migjeni, Ramadan? Asgjë, tha Ramadani. Nuk ke lexuar asgjë, Ramadan? Nuk kam lexuar asnjëherë, tha Ramadani. Çfarë libri ke në shtëpi Ramadan? Nuk kam asnjë libër, tha Ramadani”, rendit Blushi ndër rreshtat e medias sociale ritregimin e nxënësit të fundit të Migjenit.

Pikërisht atëherë kur interesi i lexuesit bie dhe ngrihet dëshira e Shkrelit për të provuar se po jeton për të vdekur, lartësohet në aktin final “mizozofia” e tij ose urrejtja ndaj dijes.

“Çfarë bën gjithë ditën, Ramadan? Mendohem, tha Ramadani. Çfarë mendon Ramadan? Mendoj si do vdes, tha Ramadani. Ke frikë Ramadan? Nuk kam frikë, tha Ramadani. Kur do vdesësh Ramadan? Po pres, tha Ramadani.

Nëse do i referoheshim fjalëve të Georges Bataille këto perifrazime të nxënësit të fundit të Migjenit do të ngjanin si “pajtimi për jetën deri në vdekje”.

Kjo ndërprerje e Shkrelit është pjesë e përvojës sonë të jetës normale, të përditshme.

Ai ka një zbrazëti, një hendek, një ndërprerje mes njerëzve dhe personazheve të jetës së tij.

Ndjenja e tij e individualitetit buron nga përdorimi i tij i mjeteve – ndarja fjalë për fjalë nga objektet – libri nga personazhet dhe personazhet nga realiteti i Shkrelit.

Nga ana tjetër, Ramadan Shkreli e barazon vdekjen e tij me “vazhdimësinë e mizozofisë”, ai nuk aludon kryesisht për vdekjen fizike, por për vdekjen e egos dhe vdekjen kulturore.

“Do vdesësh pa lexuar asnjë libër Ramadan? Më mirë, tha Ramadani”, duke u hidhëruar mbi fatin e kulturës ashtu stoik.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore