Lajme

Misteri pas arkivit të lënë nga Tom Wilkins


Në vitin 2011, Sebastien Girard, një fotograf, botues dhe kurator francez, bleu një arkë të mbushur me albume private fotografike nga një shtëpi amerikane ankandi.

Një koleksionist i zjarrtë i arkivave të gjetura të fotografisë, ai nuk e kishte idenë e vërtetë se çfarë po blinte, as kush i kishte bërë fotografitë.

Por kur arkivi i 911 Polaroids mbërriti në shtëpinë e tij në Paris – secila me numër të përpiktë, datë dhe diçiturë – ai vuri re se ishin bashkuar nga label-i ombrellë: “My TV Girls”.

Të marra midis viteve 1978 dhe 1982, imazhet e paqarta, filmike, të gjitha përshkruajnë të njëjtin ekran televiziv, me sa duket të shkrepur nga një divan.

Në ekran shfaqet gjithmonë një personazh femër, shpeshherë e zhveshur apo nudo.

Këto gra mund të jenë nga shfaqjet e njohura televizive të epokës – Dallas, Charlie’s Angels, Happy Days, Three’s Company – por ka edhe fotografi të reklamave.

“Fillova t’i shikoja titrat dhe ishin rrëqethës, pak të çuditshëm”, kujton Girard.

Ai i mori imazhet në ekspozitën e fundit të Paris Photo, duke i prezantuar ato me galerinë Christian Berst.

Titujt përshkruajnë subjektet e tyre – të cilët përfshijnë Debbie Harry, Raquel Welch dhe Brooke Shields – me terma objektivizues.

Pamjet përcjellin një magjepsje me trupat e grave, dhe në veçanti një fetish për këmisha nate.

Mënyra se si fotografi duket se i shikon gratë në shënime është reduktuese dhe degraduese. Kjo e bën shikimin e tyre një përvojë të pakëndshme, sikur të shikosh përmes syve të një ndjekësi obsesiv, mizogjen.

Dhe pastaj Girard gjeti një imazh që ai beson se ndryshon mënyrën se si ne duhet të interpretojmë Polaroids.

Ishte një autoportret i fotografit, i datës 27 mars 1981.

Në foton me ndriçim të dobët, kamera errëson fytyrën e fotografit, duke fshehur identitetin e tij.

Në mbishkrim shkruhet: “Unë kam veshur sutjena me dantella 38B Playtex të bukura. Fotografia është bërë duke përdorur një pasqyrë veshjeje dhe një aparat fotografik SX70”.

Është firmosur Tom Wilkins.

Girard beson se ky autoportret i vetëm ndryshon mënyrën se si duhet ta shohim koleksionin “My TV Girls”.

Ky është çelësi absolut për të deshifruar misterin që mbështjell veprën”, thotë Girard.

“Tom Wilkins nuk ishte pervers. Ky arkiv ishte një dokumentacion i asaj që ai donte të bëhej”.

Duke shkrepur fotografitë, beson Girard, Wilkins përvetësoi një trup femëror.

“Ky është misteri dhe gjenialiteti i tij. Kjo tregon se si, në fotografi, ju zhyteni në subjektin tuaj – ju bëheni subjekt”.

Seksualiteti dhe gjinia e tij mbeten të mbuluara me mister.

Por Girard beson se sekreti tregon “sa të vështira ishin gjërat në Boston-in konservator në vitet 1980”.

Në Paris Photo, rreth 100 Polaroid u organizuan në rrjete që funksiononin në mënyrë kronologjike – një dokumentacion marramendës që mbetet i paqartë, pavarësisht përpjekjeve të Girard për ta shpjeguar.

Një divan i stilit të viteve 1970 u vendos përpara një televizori të vjetër për të “krijuar një kontekst për punën dhe një ndjenjë intimiteti”.

Sakaq, Girard ka prodhuar gjithashtu një libër me madhësi xhepi që riprodhon arkivin e plotë.

Por cila ishte rrënja e fiksimit të Wilkins me këto gra?

Dhe a do të donte ai që ky obsesion i fshehur privat të shfaqej dhe të shitej publikisht?

Projekti i Girard shtron pyetje shqetësuese dhe nuk ka gjasa që e vërteta të dihet ndonjëherë.

Përgjigjet e vetme – tani për tani – janë në foto.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore