Lajme

Miriam Cates si Meloni, ylli në rritje i konservatorëve britanikë


Është grua, e krishterë, nënë…

Ylli në rritje i politikës britanike duket se është kloni i Giorgia Meloni-t dhe shumë në radhët e konservatorëve shohin të ardhmen e partisë tek ajo.

Në moshën 40-vjeçare, Miriam Cates , një ungjillore me tre fëmijë, e diplomuar në Cambridge dhe deputete që nga viti 2019, ka hapur rrugën për t’u bërë liderja e së djathtës së re që do të lindë nga hiri i 13 viteve të qeverisjes konservatore.

Problemi është se kryeministria e Rishi Sunak po shpërthen: qasja e tij teknokrate nuk ishte e mjaftueshme për të ringjallur fatin e ekzekutivit.

Premtimet e tij – ulja e inflacionit, ndalimi i emigracionit të paligjshëm, ringjallja e kujdesit shëndetësor – janë mbytur një nga një.

Epërsia e laburistëve në sondazhe duket e pakalueshme dhe konservatorët duken të dorëzuar nga një humbje katastrofike në zgjedhjet e vitit të ardhshëm.

Por nëse nga njëra anë kjo perspektivë ka shkaktuar rrëmujë, me deputetë dhe ministra që nuk kandidojnë më dhe kalojnë në karriera të tjera dhe më fitimprurëse sesa politika, nga ana tjetër ka ndezur një garë të furishme për zemrën dhe shpirtin e partisë, e cila në këtë pikë ka nevojë për një rithemelim të vërtetë.

Kjo pasi ka eksperimentuar me liberalizmin social të David Cameron-it, me intervencionimin e Boris Johnson-it, me ultra-liberalizmin e Liz Truss-it dhe me menaxherizmin e padukshëm të Sunak-ut.

Nacional-konservatorët, fraksioni që i referohet shprehimisht të djathtës evropiane, publikuan një manifest mbi emigracionin në të cilin sugjeronin një ulje prej 60 për qind të ardhjeve (legale) në Britaninë e Madhe, e cila vitin e kaluar arriti në 1.2 milionë.

Siç ka argumentuar edhe Miriam, niveli aktual i imigracionit vendos sigurinë ekonomike dhe kulturore të vendit.

Dhe theksi shkon në atë “kulturore”: sepse kryqëzata e Cates është mbi vlerat.

Fjalimi i saj kishte qenë fjalimi më i duartrokitur në konferencën e mesit të majit në Londër, e cila pagëzoi konservatorët kombëtarë.

Atje ajo vlerësoi familjen tradicionale, martesën e përjetshme, rëndësinë e qëndrimit në shtëpi dhe të pasurit fëmijë për gratë, lartësoi një konservatorizëm “të bazuar te patriotizmi dhe vlerat tradicionale”, në krahasim me “vlerat e elitës globale”.

Madje nuk ka hezituar të ngjallë edhe fantazma për të luftuar si ai i “marksizmit kulturor”, një koncept i diskutueshëm i përdorur nga e djathta ekstreme dhe i lidhur me antisemitizmin.

Por tani edhe në Londër nuk janë shumë delikate. Dhe Miriam është një mutacion i vërtetë gjenetik i konservatorëve, formacioni më i vjetër politik në Perëndim dhe një “parti qeverisëse e natyrshme” falë pragmatizmit dhe fleksibilitetit të saj ideologjik.

Mund të jetë një nënë e krishterë gjithashtu në Londër?

Marrë nga “Corriere della Sera”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore