Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar rezolutën e propozuar për dënimin e gjenocidit serb në Srebrenica të Bosnjë dhe Hercegovinës.
Ndër 113 deputetë, të cilët kanë marrë pjesë në votim, të gjithë janë shprehur pro rezolutës.
Megjithatë, katër amendamente të propozuara nga ish-kryeministri dhe nga deputeti demokrat, Tritan Shehu, janë rrëzuar nga Parlamenti.
Grupi socialist, e pati propozuar rezolutën pasi votoi kundër një tjetër rezolute, të propozuar nga Sali Berisha dhe grupimi i deputetëve të tij demokratë.
Ishte pikërisht propozimi i Berishës, ai e shtyu mazhorancën të votonte kundër dhe të vinte me një rezolutë të re në tryezën e Kuvendit.
Sipas propozimit, ajo emërtohet zyrtarisht si një rezolutë “Në përkujtim të viktimave të gjenocidit në Bosnjë”.
Ishte kreu i Grupit Parlamentar socialist, Taulant Balla, ai i e prezantoi nga foltorja e Kuvendit më herët atë.
“Mijëra të varrosur për së gjalli, fëmijë të vrarë para syve të nënës së tyre. Këto janë skena ferri”, ishin fjalët e tij.
Balla ravijëzoi se kjo rezolutë shpreh qartë qëndrimin e Shqipërisë për dënimin e krimeve të luftës dhe dënimin e shteteve që i mohojnë ato.
Sipas tij, situata duhet të shërbejë si kambanë alarmi ndaj rreziqeve të forcave ekstreme të nacionalizmit, dhunës e tmerreve të luftës që ato shkaktojnë.
“Gjenocidi rezultoi të ishte vetëm uvertura e një gjenocidi më të gjerë që u shtri pak kohë më pas edhe në Kosovë. Ai u ringjall së fundmi dhe në Ukrainë, ku forcat pushtuese ruse kanë kryer e po kryejnë krime tepër të rënda kundër civilëve të pambrojtur”.
Balla bëri thirrje për ta votuar rezolutën dhe për ta shpallur 11 korrikun si ditën përkujtimore për këtë ngjarje.
Pjesëmarrës në këtë seancë, nëpërmjet një video-mesazhi, ishte edhe presidenti i Bosnjë dhe Hercegovinës, Shefik Xhaferoviç.
Ai ka falënderuar deputetët shqiptarë për miratimin e Rezolutës së Gjenocidit të Srebrenicës.
“Falënderoj të gjithë deputetët e Parlamentit të Shqipërisë për miratimin e rezolutës për gjenocidin e Srebrenicës. Në të vërtetë ky është respekt për viktimat. Shqipëria dhe BH janë dy vende miqësore”.
Kuvendi, pas shpalosjes së fjalimeve të Ballës dhe Xhaferoviç, mbajti një minutë heshtje në nder të viktimave të masakrës së Srebrenicës.
Por, ndonëse kanë deklaruar se votimi i rezolutës është një hap i duhur, deputetët demokratë kanë shprehur edhe kritikat e tyre.
Ata theksojnë se rezoluta është tepër neutrale dhe nuk ka nuancat e “dënimit të kësaj masakre”.
Gjithashtu, deputetët thanë se duhet të ishin prezantuar me rezolutën e propozuar nga Partia Socialiste.
Lajmi në përditësim