Lajme

Miratohet projektligji për reformën zgjedhore


Kuvendi i Kosovës.

Kuvendi i Kosovës në seancën e së enjtes ka miratuar projektligjin për reformën zgjedhore.

Gjatë kësaj seance 86 deputetë kanë votuar pro miratimit të këtij projektligji, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

Kurse, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në seancën e Kuvendit ka thënë se me projektligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme do t’i dalin hak mërgimtarëve që përkundër vështirësive nuk hoqën dorë për ta shprehur vullnetin e tyre politik.

“Si kryeministër i vendit shpreh kënaqësinë dhe falënderimin për të përfunduar këtë proces. Falënderoj partitë politike për pajtueshmërinë për ndryshimet e bërë. Falënderoj miqtë ndërkombëtar. Përpjekje për reformë zgjedhore patën filluar menjëherë pas zgjedhjeve parlamentare 2010 që u cilësuan nga misionet e ndryshme si vjedhje industriale të votave. Raporti i misionit të BE për zgjedhjet lokale adresoj 23 rekomandime për procesin zgjedhore”

Ai tutje ka folur për ndryshimet që do të ndodhin përmes reformës zgjedhore.

“Pjesëmarrja  e mërgatës në proceset zgjedhore dhe vështirësitë e tyre në realizimi e kësaj të drejte janë arsye për këto ndryshime që tani mundësojnë që ata të marrin pjesë. Ndër çështje më të rëndësishme që rregullohen me këtë projektligj janë regjistrimi i votuesve jashtë vendit, mënyra e votimit jashtë vendit, e drejtën e votës, numërimi i votave dhe mbështetja financiare shtesë për partitë që krijojnë hapësirë më të madhe për deputet gra sa është kuota e përcaktuar. Projektligji i ri e parasheh regjistrimin online”.

Por, sipas gjashtë organizatave të Shoqërisë Civile ky projektligj përmban ndryshime të cilat cenojnë integritetin zgjedhor.

Përmes një letre publike nga organizatat konsiderohet se projektligji i ri për zgjedhjet, i cili po shqyrtohet si pikë e vetme në seancën e parë të Kuvendit të enjten, përmban edhe ndryshime të cilat cenojnë integritetin zgjedhor.

Kurse në anën tjetër nuk adresojnë çështje të cilat do ta përmirësonin nivelin e përfaqësimit demokratik në Kosovë.

“Projektligji i ri për zgjedhjet, i cili pritet të shqyrtohet si pikë e vetme në seancën e parë të sotme, në njërën anë, përveç teknikaliteteve, përmban edhe ndryshime të cilat besojmë që cenojnë integritetin zgjedhor, e në anën tjetër nuk adresojnë çështje të cilat do t’a përmirësonin nivelin e përfaqësimit demokratik në Kosovë”.

“Disa nga ndryshimet më problematike të këtij projektligji kanë të bëjnë me integritetin e kandidatëve, pavarësinë e KQZ-së dhe votat e kandidatëve”.

Ndërsa është thënë se këto organizata kundërshtojnë mundësinë e trajtimit të këtij projektligji “në procedura të përshpejtuara”.

“Fillimisht, duke qenë se ky projektligj është tejet i rëndësishëm në vet nivelin e demokracisë së Kosovës, është në interes të publikut që i njëjti t’i nënshtrohet procedurave standarde të diskutimit dhe konsultimit me publikun e gjerë, sipas afateve optimale të përcaktuara në Rregulloren e Kuvendit”.

“Prandaj, ne kundërshtojmë mundësinë e trajtimit të këtij projektligji në procedura të përshpejtuara – dhe atë në të dy leximet brenda ditës së sotme”.

Sipas këtyre organizatave, përshtatshmëria juridike e kandidatëve është ndër ndryshimet më të dëmshme në kuadër të projektligjit, që cenon seriozisht integritetin zgjedhor, po ashtu rrezikohet edhe pavarësia e KQZ-së përmes këtyre ndryshimeve.

Pasojat tjera mund të jenë edhe tek rritja e votës preferenciale në 10 kandidatë.

Ndryshe, reforma zgjedhore është parë si proces i domosdoshëm edhe nga njohës të fushës së drejtësisë në Kosovë.

Madje sipas tyre kjo ka qenë edhe kërkesë e vazhdueshme e institucioneve ndërkombëtare.

Ndonëse nisi si proces vite më parë, në mungesë të vullnetit nga të gjitha partitë politike, kjo iniciativë mbeti në gjysmë.

Shoqëria civile kundër Projektligjit për zgjedhje: Ka ndryshime të cilat cenojnë integritetin zgjedhor

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore