Lajme

Miratohen një serë vendimesh nga Qeveria e Kosovës


Qeveria e Kosovës.

1 milionë euro i janë ndarë shtatë komunave të Kosovës në mbledhjen e Qeverisë.

Këto mjete do të shpenzohen për projektin “programi komunal për zhvillim të infrastrukturës socio-ekonomike dhe bashkëpunim ndër-komunal”.

Gjithashtu, qeveria në mbledhjen e të mërkurës ka marrë vendim edhe për ndarjen e mbi gjysmë milioni euro për mbështetjen e prodhuesve vendorë në kuadër të Programit të Ringjalljes Ekonomike.

Ky propozim ka ardhur nga ministri i Financave, Hekuran Murati, i cili theksoi se mjetet e ndara parashihet t’i japin mbështetje prodhuesve vendorë në ngritjen e kapaciteteve prodhuese.

“Për mbështetjen e prodhuesve vendorë dhe bëhet fjalë për mbështetje shtesë prej 600 mijë euro për prodhuesit, në mënyrë që ata të kenë mbështetje për ngritje të kapaciteteve prodhuese dhe kapaciteteve të stafit”.

Ministri i Financave, Hekuran Murati.

Një tjetër vendim i miratuar ishte edhe ndarja e mjeteve në vlerë prej 100 mijë eurove për mbështetjen me shtesa nga 100 euro për punëtorët e sektorit publik.

“Bëhet fjalë për plotësim-vendimin paraprak që kishte të bënte për ndarjen e mjeteve për mbështetjen e të punësuarve në sektorin publik, dhe bëhet fjalë për kategori që kanë mbetur pa u trajtuar në rundin e parë dhe kësisoj duhet të ketë mjete shtesë prej 100 mijë euro”, tha ministri Murati.

Ekzekutivi emëroi edhe anëtarët në bordet e katër Ndërmarrjeve Publike Qendrore “Trainkos”.

Kryesues i Bordit është emëruar Nol Dedaj.

Ndërkaq, anëtarë të bordit të drejtorëve të ndërmarrjes publike të hekurudhave janë emëruar: Astrit Mehaj, Drita Kadriu-Berisha, Blerina Shamolli, Rizah Spanca dhe Shaban Neziri.

Edhe për Bordin e Kompanisë së Ujësjellësit Hidroregjioni Jugor u votua.

Kryesues u zgjodh Feim Fetoshi, dhe anëtarë Mirlinda Morina, Naim Ukaj dhe Arben Hajrizi.

Në këtë mbledhje u miratua vendimi për emërimin edhe të Bordit të kompanisë Ujitjes Radoniqi-Dukagjini.

12 kandidat i janë rekomanduar Qeverisë, përderisa për kryesues u propozua Ilir Dula.

Qeveria gjithashtu ka marrë vendim për emërimin e drejtorëve të kompanisë rajonale ujësjellësi “Bifurkacioni”.

Për kryesues të Bordit është propozuar Naim Rexhaj kryesues, Kujtesa Ahmeti për anëtare, edhe Kujtesa Ramadani për anëtare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore