Mira Murati largohet nga OpenAI 

Murati falënderoi ekipin për besimin dhe mbështetjen e dhënë gjatë udhëheqjes së saj
SHFLETO
Brixhilda Xhuraj
25.09.2024 21:54
Loading Icons...

Pas një karriere të suksesshme prej më shumë se gjashtë vitesh në OpenAI, Mira Murati ka njoftuar largimin e saj nga kompania.

Në një letër publikuar në X, Murati falënderoi ekipin për besimin dhe mbështetjen e dhënë gjatë udhëheqjes së saj.

Murati shkroi se ajo “po largohet sepse dua të krijoj kohën dhe hapësirën për të bërë eksplorimin tim. Për momentin, fokusi im kryesor është të bëj gjithçka në fuqinë time për të siguruar një tranzicion të qetë”.

Ajo vlerësoi arritjet e fundit të OpenAI, përfshirë lançimet e teknologjive të reja që kanë ndryshuar mënyrën se si funksionon inteligjenca artificiale.

Murati vuri në dukje përkushtimin e ekipit të OpenAI dhe rolin e tij në ndërtimin e një të ardhmeje më të fuqishme për AI, duke premtuar gjithashtu mbështetjen e saj edhe pas largimit.

Ajo mbylli letrën me mirënjohje të thellë për triumfet e arritura dhe sfidat që janë përballuar së bashku me ekipin.

Si shefe teknologjisë së kompanisë, Murati punoi në prapaskenë për të udhëhequr modele si ChatGPT dhe DALL-E drejt adoptimit të zakonshëm.

Por nëntorin e kaluar ajo u vu në qendër të vëmendjes kur u emërua CEO e përkohshme pas rrëzimit të diskutueshëm dhe të shkurtër të Sam Altman.

Sipas një raporti të New York Times, Murati kishte ndarë me bordin shqetësimet e saj për udhëheqjen e Altman.

Por pas një reagimi të gjerë nga punonjësit dhe investitorët, Altman u rikthye në postin kryesor, me mbështetjen e plotë të Muratit.

(Murati shkroi në një deklaratë në mars se komentet e saj në bordin për Altman ishin “të gjitha reagimet që Sam i dinte tashmë”, duke shtuar “Unë i luftova veprimet e tyre në mënyrë agresive dhe ne të gjithë punuam së bashku për ta rikthyer Sam”).

Në muajt që pasuan, Murati ka luajtur një rol më të madh publik në kompani. Në maj, ajo prezantoi modelin e ri kryesor të kompanisë, GPT-4o, i cili i impresionoi përdoruesit me ndërveprimet e tij të sofistikuara zanore në kohë reale.

Ajo tregoi përparimin e kompanisë në SearchGPT, një motor kërkimi dhe Sora, një model tekst-në-video.

Në Met Gala vjetore të Muzeut Metropolitan të Artit, ajo foli për instalimin e chatbot-it të OpenAI në muze.

Kush është Mira Murati

Ajo është 35-vjeçare, e flet anglishten pa u diktuar se në realitet ka lindur në Vlorë. Dikur ajo ka punuar për Musk në Tesla dhe ka zhvilluar sistemin e pilotit automatik të mjetit elektrik më emblematik në botë.

Në Evropë pak e njihnin. Në Shqipëri jo e jo! Prej fillimit të vitit bota shqiptare ishte e zhytur në show bizz banal (siç me gjasë do të jetë edhe këtë vit), në pseudo-estetika bustesh e të pasmesh, përfshi edhe politikën tallava, që u frymëzua prej suksesit të tyre.

Albanian Post nga ana tjetër, ashtu siç kishte folur për mendimin filozofik të Lea Ypit, që po e lartësonte Shqipërinë, kishte filluar të ndiqte edhe mendjen brilante të një ylli në rritje në fushën e Inteligjencës Artificiale, shqiptaren Mira Murati.

Shefi i kompanisë gjigande të zhvillimit të teknologjisë së sisteme operative Microsoft, Satya Nadella, shkruante për të se ka treguar një aftësi të jashtëzakonshme për të mbledhur ekipe me ekspertizë teknike, nuhatje komerciale dhe me përulësi të madhe ndaj rëndësisë së misionit.

“Prandaj, Mira Murati ka ndihmuar në ndërtimin e disa prej teknologjive më frymëzuese që kemi parë ndonjëherë, duke përfshirë ChaGPT, DALL-E dhe GPT-4”.

Ajo është shefja e teknologjisë në kompaninë OpenAI, pionere në Inteligjencën Artificiale dhe rivale e drejtpërdrejtë me Google. Mbështetet fuqimisht nga Microsoft.

Pati një sagë “simpatike” dhe plot mësime Open AI në prag fundviti.

Shefi i përgjithshëm i kompanisë, Sam Altman, u shkarkua në mënyrë spektakolare me një vendim të fshehtë bordi.

Brenda 24 orëve, bordi vendosi Mira Muratin si shefe të përgjithshme të OpenAI.

Por, Mira njihet si krahu i djathtë i Altman dhe ajo është shqiptare. Me besën e dhënë për besnikëri ndaj Altman, i doli bordit kundër dhe kërkoi rikthimin e tij në kompani.

“Open AI janë njerëzit që punojnë për të”, shkruante ajo në Twitter.

Dhe u shkarkua brenda 24 orëve…

Mira Murati nuk është thjesht një shkencëtare ambicioze në fushën më të larmishme ku mund të hulumtohet kohëve të fundit. Ajo është një “krijesë” e jashtëzakonshme lidershipi, me këmbë në tokë dhe me qëllime të qarta jo personale, por globale.

Ajo e kishte nuhatur prej kohësh dhe e mbart si bindje: Altman është njeriu që duhet të drejtojë OpenAI dhe ajo operacionet e kompanisë, jo e kundërta. E ka kuptuar kahera potencialin e vërtetë të saj dhe se ku shkëlqen më së shumti.

Morali? Në një vendim po aq spektakolar, bordi i OpenAI u dorëhoq dhe Sam Altman u rikthye në krye të kompanisë, me Mirën në krahun e tij të djathtë.

S’ka kaluar shumë kohë në fakt që kur Mira Murati u bë pjesë e listës së “Grave të Vitit” – atyre më me ndikim në botë – në numrin e përvitshëm të prestigjiozes “Financial Times”.

Shefja e teknologjisë e kompanisë OpenAI është në krye të transformimit të thellë digjital.

Produktet novatore të OpenAI, ChatGPT dhe Dall-E, kanë rrëmbyer imagjinatën e botës dhe do të ndryshojnë rrënjësisht mënyrën se si punohet, mësohet dhe shprehet.

Ndërkohë, udhëheqja vizionare e Mirës shtrihet përtej shkencës dhe kërkimit të modeleve të mëdha gjuhësore në dizajnimin se si të inkorporojmë AI-në në jetën tonë të përditshme, si dhe si të zhvillojmë AI-në me përgjegjësi në lidhje me sigurinë dhe rregulloren.

Historia dhe lidershipi i saj janë po aq frymëzues sa teknologjia që përcakton të ardhmen që ajo mbikëqyr.

Edhe më herët, revista “Fortune” ka nderuar punën e saj, duke e vendosur në kopertinën e listës së “Grave më të Fuqishme në Biznes”.

ChatGPT arriti 100 milionë përdorues aktivë mujorë në vetëm dy muaj dhe ka shkaktuar një revolucion të plotë teknologjik në më pak se një vit.

Dhe ndikimi i Mirës në OpenAI, që tani vlerësohet në afro 30 miliardë dollarë, është i jashtëzakonshëm.

Murati ishte një nga katër personat që themeluan OpenAI.

Përveç saj dhe Altman-it, grupi përfshin Ilya Sutskever, shkencëtarin kryesor, i cili ra nga froni për mbështetjen e shkarkimit të Altman-it, dhe Greg Brockman, president i kompanisë.

Murati i qëndroi besnike mikut të saj kur u pushua nga puna: pavarësisht se u zgjodh si shefe ekzekutive e përkohshme, ajo iu bashkua letrës së nënshkruar nga 95 për qind e stafit të kompanisë që kërkonte rivendosjen e Altman si kreu i OpenAI, duke kërcënuar në të kundërt se do të pranonte ofertën e Microsoft për t’i punësuar të gjithë.

Mira ka një diplomë në Inxhinieri Mekanike nga Kolegji Dartmouth, universiteti amerikan ku lindi disiplina e AI-së.