Kosova

Miqësinë me ShBA-të e kemi testament nga presidenti Rugova, thotë Osmani


Vjosa Osmani

Pak ditë pasi që Shtetet e Bashkuara të Amerikës nëpërmjet Ndihmës-Sekretarit amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, kritikuan ashpër kryeministrin Albin Kurti sa i përket vendimit për ndalimin e dinarit në territorin e Kosovës, presidentja Vjosa Osmani ka thënë se roli i ShBA-së në krijimin e shtetit të Kosovës ka qenë kryesor.

Këto komente, e para e vendit i bëri në promovimin e librit “Ora e Kosovës: Pavarësia dhe Shtetndërtimi”, të ish-presidentit Fatmir Sejdiu.

Osmani, në fjalën e saj ka theksuar se miqësia me SHBA-të është testament nga presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova.

“Miqësinë e përhershme me Amerikën e kemi testament nga presidenti Rugova, të rrënjosur thellë në zemrat e të gjithë shqiptarëve, ndaj, siç e dëshmoi sidomos periudha e shtetndërtimit, roli amerikan për krijimin e shtetit tonë është tepër evident, tepër përmbajtjesor dhe pa dyshim kryesor”, ka deklaruar ajo.

O’Brien, si asnjëherë më parë ka artikuluar kritika të rënda në drejtim të kryeministrit Kurtit, duke cilësuar qeverisjen e tij si të “paaftë”, i cili, sipas top-diplomatit amerikan, ka dhënë premtime ndryshe për çështjen e ndalimit të valutës shtetërore serbe në Kosovë, por më pastaj ka vepruar ndryshe duke vënë në pikëpyetje partneritetin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

O’Brien në një intervistë për Zërin e Amerikës edicioni në gjuhën shqipe, fillimisht është pyetur se a ka biseduar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti për shqetësimet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës lidhur me vendimin e BQK-së për ndalimin e dinarit për shit-blerje dhe transaksione financiare në territorin e Kosovës.

“Kemi pasur disa biseda në periudhën para se të shpallej vendimi dhe një shkëmbim të shkurtë më pas”, ka thënë fillimisht ai.

I pyetur se si Kurti e ka pritur vlerësimin e tij lidhur me këtë çështje, O’Brien ka potencuar se ai “ka kuptuar shqetësimet” dhe se ka premtuar “se do të punonte për to”.

“Por, qartazi vendosi miratimin e vendimit. Nëse ai nuk na trajton si partner, kjo ngre pikëpyetje nëse ne mund ta konsiderojmë këtë qeveri si partnere”, ka vlerësuar ai.

Në pyetjen se a planifikojnë SHBA-të të veprojnë njëjtë si Bashkimi Evropian duke vendosur masa Kosovës, nëse ekzekutivi këmbëngul në qëndrimin e saj, O’Brien në mënyrë të drejtpërdrejtë ka potencuar se “unë nuk bëj kërcënime të vagëta publikisht. Unë do të thoja, që nëse ne nuk trajtohemi si partner, edhe ne nuk do ta trajtojmë qeverinë e Kosovës si partnere”.

Duke potencuar se vendimi i BQK-së ka zënë në befasi komunitetin serb në Kosovë, O’Brien ka vlerësuar se “kjo nuk është formë e qeverisjes efektive” dhe se një gjë e tillë tregon “paaftësinë e Qeverisë së Kosovës”.

“Qeveria vazhdoi me zbatimin e tij pa paralajmërim dhe ka lënë një numër qytetarësh të vet të hutuar se si të paguajnë për bukën, qiranë dhe energjinë elektrike, të cilën disa prej tyre sapo kanë filluar ta paguajnë. Kjo nuk është formë e qeverisjes efektive. Jemi shumë të shqetësuar, pasi kjo tregon paaftësinë e qeverisë për t’i shërbyer qytetarëve të saj, por edhe për partneritetin”, ka deklaruar ai.

Të jesh pjesë e Evropës, sipas tij, nënkupton t’i zgjidhësh çështjet përmes dialogut me planifikimin efektiv dhe paralajmërim.

“Ky vendim është shpallur me nxitim, pa paralajmërim dhe pa një përpjekje për të shfrytëzuar mekanizmat ekzistues për të gjetur përgjigje për gjithë problemet që mund të lindnin”.

Prandaj sipas tij, Kosova duhet të tërhiqet nga vendimi për dinarin, meqë në vlerësimin e tij shtyrja e vendimit për tre muaj nuk është e mjaftueshme.

“Pra jo, duhet ta ndërpresin menjëherë këtë dhe pastaj të punojmë drejt zgjidhjes së problemit konkret, që ata duan të zgjidhin, ashtu siç veprojnë shtetet moderne evropiane”.

BQK-së, sipas tij, do të duhej të ofronte alternativë serbëve në Kosovë, para se të hynte në fuqi rregullorja.

“Njerëzit duhet ta dinë se si do t’i paguajnë faturat. Kur lexoj deklaratën e Bankës Qendrore, aty nuk thotë se do ta lejohet përdorimi i dinarit. Thotë se do të ofrohet një alternativë. Kjo duhej bërë para se të zbatohej vendimi në bashkëpunim me komunitetet e prekura dhe me fqinjët që preken nga vendimi dhe sinqerisht me Bashkimin Evropian dhe ne. Pra jo, duhet ta ndërpresin menjëherë këtë dhe pastaj të punojmë drejt zgjidhjes së problemit konkret, që ata duan të zgjidhin, ashtu siç veprojnë shtetet moderne evropiane”.

I pyetur se a lidhet çështja e dinarit me formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, O’Brien ka potencuar se “Asociacioni do të zgjidhte këtë problem”.

“Asociacioni do ta qartësonte çështjen e parave që dërgohen dhe qëllimet për të cilat do të përdoreshin. Ka mënyra tjera për ta siguruar këtë qartësi, përfshirë përmes dialogut, përmes konsultimeve joformale, ashtu si shtetet moderne u japin përgjigje këtyre çështjeve. Jo duke shpallur vendime në mes të natës pasi partnerët tuaj më të afërt ju thonë se kjo është ide e keqe dhe qeverisje e dobët”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore