Shqipëria

Ministrja sqaron se pse u mbyll Kolegji turk në Shqipëri


Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, ka reaguar pas lajmit të mbylljes së veprimtarisë së institucionit arsimor privat parauniversitar kolegjit “Mehmet Akif Ersoy”, që është pjesë e Fondacionit Gülistan.

Kushi thotë se, ky vendim është rezultat i konstatimit nga Ministria të një “sërë shkeljeve të legjislacionit në fuqi nga zotëruesit e licencës në fjalë”.

Sipas saj, institucioni ka filluar procesin mësimor në vitin 2022-2023 në një vendndodhje dhe mjedise të tjera, të pamiratuara nga MAS, pra pa certifikimin ligjor përkatës të standardeve të godinës.

“Nuk i kanë plotësuar më tej kriteret ligjore edhe pse nga ana MAS është kryer dy herë verifikimi i tyre dhe në kushtet e ushtrimit të veprimtarisë jashtë kritereve përkatëse licenca duhet të revokohet”, shkruan Kushi.

Vendimi për mbylljen e shkollës në Tiranë është marrë në mbledhjen e djeshme të Këshillimit të Ministrave, duke u publikuar edhe në Webfaqen zyrtare të Qeverisë së Shqipërisë.

Në vendim thuhet se miratimi është marr me propozimin e ministres së Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, dhe është firmosur nga zëvendëskryeministrja, Belinda Balluku.

Qeveria i kërkon fondacionit që të paguajë të gjitha detyrimet për nxënësit që do të transferojnë programin mësimor.

Vendimi detyron drejtorinë arsimore të ngrejë grup pune brenda 3 ditësh për të mbyllur shkollën private si dhe të kujdeset për transferimin e nxënësve në shkolla të tjera.

Qeveria vendos të mbyllë kolegjin turk ‘Mehmet Akif Ersoy’

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore