Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese e cila ka vlerësuar si antikushtetues Ligjin për Byronë për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, ka deklaruar se këto janë tendenca për ta përmbysur vullnetin e qytetarëve.
“Situata për ne është shumë e qartë, vullneti i qytetarëve për drejtësi po tentohet të përmbyset nga një grusht njerëzish që ende u shërbejnë dhe i kanë borxhe nomenklaturës së vjetër”, ka shkruar Haxhiu në rrjetin social ‘Facebook’.
Ndër të tjera ka theksuar se puna e tyre në këtë drejtim s’do të ndalet pavarësisht vendimit të Kushtetueses.
“Beteja jonë për reformë dhe shtet të së drejtës nuk do të ndalet. Byroja do të bëhet. Pasuria publike e shpërdoruar e përvetësuar do të konfiskohet. Vullneti popullor do të jetësohet”.
Haxhiu, ka përmendur edhe kohën që shfrytëzoi Kushtetuesja për ta trajtuar këtë çështjen e këtij ligji.
“16 muaj iu deshën Gjykatës Kushtetuese për të vlerësuar përputhshmërinë e Ligjit për Byronë Shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme. Pas 16 muajve, pra sot, kuptuam që Ligji është shpallur i pavlefshëm”.
“5 gjyqtarë nga 9 sa janë gjithsej vendosën që Ligjin më të rëndësishëm në kuadër të pakos kundër korrupsionit e keqpërdorimit të detyrës zyrtare ta shpallin të pavlefshëm”.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka shpallur antikushtetues edhe Ligjin për Byronë Shtetërore për Verfikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, pasi ka gjetur plotë 10 pika në kundërshtim të plotë me Kushtetutën e Kosovës.
Prandaj, Gjykata kishte vendosur “të shpallë të pavlefshëm, me pesë (5) vota për dhe katër (4) vota kundër, në tërësinë e tij, Ligjin nr. 08/L-121 për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme”.
Në vendim janë dhënë edhe të gjitha nenet dhe paragrafët ku janë diktuar shkeljet kushtetuese të ligjit që qeveria e proklamonte si ligji që do të mundësonte reformën në drejtësi.
Gjykata kishte gjetur se ligji për Byron provonte të përmbyste krejtësisht funksionimin e sistemit juridik në Kosovë ku më nuk do të kishin barrën e provës organet akuzuese, por vetë individi që po akuzohej.