Lajme

Ministrja nga Bota e Çudirave


Foto nga Albanian Post

Në një ditë të nxehtë fundvere, tre burra veshur me kostume të lira po qëndronin rresht e pranë njëri tjetrit afër një makine të zezë. Detyrimin e të qëndruarit pa lëvizur e shkaktonte zëri i një gruaje. Ishte i ashpër dhe me ton, njëjtë si gishti që u drejtohej e fytyra që ju fliste.

Gruaja u kërkonte llogari se cili ishe ai që do duhej të ndryshonte gomat në kohën e duhur e s’e ka bërë.

Sipas një dokumentari që kishte parë gruaja nervoze, nëse gomat hahen shumë, makina bëhet lehtësisht e aksidentueshme. Pasagjeri i saj mund të vdes.

“Ky është atentat”, thoshte me specializimin e fituar nga dokumentari.

Gruaja ishte ministrja Donika Gërvalla. Tre burrat ishin shoferët e ministrisë së Punëve të Jashtme. Makina ishte automjeti zyrtar me të cilin udhëton ministrja. Ngjarja po ndodhte në oborrin e ministrisë.

Sipas njërit prej shoferëve, gjendja ishte e tensionuar.

Njëri kishte dashur të flas, por po ta bënte shpjegimin për gomat në këtë moment, do duhej ta jepte edhe një shpjegim pranë një gruaje tjetër në shtëpi, kur t’i tregonte pse e shkarkuan nga puna.

Situata ishte e çuditshme, por askush s’ishte çuditur në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës.

S’ishte hera parë, s’do ishte e fundit.

Kur në fillim Gërvalla kishte marrë postin dhe fuste kokën shpejt e papritur në bufe për të parë se kush me kë po rri, ishin ndjerë në siklet. Por, kështu do ishte tash e tutje, kuptuan shpejt.

Sipas një burimi të AP-së brenda MPJ-së, të gjithë përgojojnë për momentet kritike të Gërvallës. Për histerinë që tregon ministrja, por askush s’guxon të flas.

Gjithçka është e paparashikueshme. “Sot je në punë, nesër mund të mos jesh”, thotë një burim tjetër brenda kësaj ministrie.

“S’ka siguri për askënd jashtë rrethit të saj të ngushtë. Asaj nuk ia ndjenë as nëse shkarkimi bëhet kundër ligjit. Ajo e bën”, pohon një burim që ka pozitë të lartë brenda këtij institucioni.

Dhe frika nuk vjen nga ndonjë hipotezë e ndërtuar si paranojë nga sjelljet e ministres. Diçka e tillë tashmë ka ndodhur.

Të gjithë e kujtojnë mirë rastin e Viskont Jakupit, ish-Sekretar i Parë i Ambasadës së Kosovës në Londër.

Ai u emërua dhe u shkarkua brenda një muaji. Arsyeja e shkarkimit, siç iu dha me shkrim Jakupit, ishte “një deklarim i një të pavërtete të pa tolerueshme”. Ai s’e kishte kuptuar çfarë nënkuptonte ky formulim, por i kishin treguar se vinte nga vetë ministrja.

Veç tij, arsyen s’e ka kuptuar as gjykata, prandaj Themelorja në Prishtinë, mori vendim që Jakupi të kthehej në punë e të kompensohej për gjithë kohën që s’është paguar.

Kush mendon se pas vendimit të gjykatës Jakupi u kthye në punë, ende nuk ka kuptuar fuqinë destruktive të ministres.

Gërvalla s’e ka respektuar as këtë vendim dhe Jakupi mbetet në pritje.

Në ndërkohë, një tjetër shkelje ligjore kishte ndodhur.

Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbim Civil të Kosovës njoftoi në shtator se Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës ka shpallur kundërligjshëm konkursin për 32 zyrtarë të misionit diplomatik gjatë muajit korrik të këtij viti.

Gërvalla kishte prodhuar një skandal tjetër kur kishte vendosur të kthente 12 ambasadorë në shtëpi, pa gjetur fare zëvendësim për ta. Me muaj Kosova la ambasadat jo funksionale.

Në anën tjetër, Agjencisë për Informim dhe Privatësi u desh ta dënojë MPJ-në me 13 mijë euro gjobë, pasi Gërvalla refuzonte t’ua dorëzonte gazetarëve informatat rreth shpenzimeve për derivate të diplomatit Prindon Sadriu, burrit të presidentes Vjosa Osmani-Sadriu.

Të gjitha këto po ngjanin në kohën kur ministrja kishte ekspozuar rëndë vulën zyrtare për ta vënë në një certifikatë të një vajze 16 vjeçare.

Nora Schwarz nuk kishte qenë asnjë ditë për punë praktike në MPJ të Kosovës, por certifikatën e kishte marrë.

Asaj dokumentin e vulosur ia kishte mundësuar e ëma, Donika Gërvalla-Schwarz.

Në kohën kur ministrja po lëshonte certifikata për vajzën, Amir Haziri që mbulon departamentin për Rajonin në këtë ministri, s’dinte gjë meqë ishte me pushime.

Nga pushimet do t’i duhej të kthehej patjetër sepse i kishin treguar që i është thyer dera e zyrës e i janë kontrolluar dollapët.

Haziri ishte befasuar si ka mundur të futet dikush në ministri e t’ia thyejë zyrën.

Më vonë kuptoi që s’bëhej fjalë për ndonjë hajdut.

Zyrën ia vandalizoi një koleg i tij, udhëheqësi i departamentit për shërbime të përgjithshme Ragip Zejnullahu.

Albanian Post në kohën kur pati ndodhur rasti, mësoi se arsye e futjes vandale në zyrën e Amir Haziri-it, ishte një supozim se ai mund të kishte fshehur diçka aty, pasi para kësaj detyre ishte me mision diplomatik në Beograd, Zagreb e vende të tjera të Ballkanit.

Për Hazirin kjo ishte e patolerueshme, do ta lajmëronte rastin menjëherë në polici, por, për befasinë e tij, vetë hetuesit policorë do t’i kërkonin që t’i stopojë hetimet duke i sugjeruar vullnetarisht tërheqje nga lajmërimi.

“Auuu këto s’janë kurgjo, me ditë ti çka ndodhë aty”, thotë në konfidencialitet një diplomat që është i bindur se edhe atij i është vënë kryqi pas krahëve.

Për çfarë saktësisht s’e ka idenë, por në MPJ nuk ka lidhje çfarë ke bërë, por çfarë mendon ministrja se ke bërë.

Për shembull, mund t’i ndodhë si Gramos Begollit, ish-Konsullit të Përgjithshëm të Republikës së Kosovës në Hamburg.

Historia i takon zhanrit të anekdotave dhe po mos ta tregonte vetë Begolli publikisht, askush s’do ta besonte për të vërtetë.

Si çdo vit tjetër, Begolli në cilësinë e Konsullit, po organizonte eventin për 14 vjetorin e pavarësisë. Konsullata kishte përpiluar listën e të ftuarve me kujdes dhe brenda protokollit.

Gjithçka po shkonte mirë, kur një ditë më herët i shkroi në Whats App një numër i panjohur. Veç numrit që s’e njihte, Begollit për identifikim s’i ndihmonte as fotografia, sepse në foto profili ishte vendosur një kafshë.

“Jam ministrja”, i kishte thënë fotografia me kafshë dhe numri i panjohur. Ai normalisht s’e kishte marrë seriozisht.

Të nesërmen, me një shkelje të rëndë protokolli, ministrja e Kosovës kishte udhëtuar për në Gjermani në mënyrë private.

Procedura normale thotë se ministri njofton ambasadën apo konsullatën në vendin ku do të udhëtojë, dhe më pas ekipi atje lajmëron autoritetet e shtetit pritës dhe organizohet pritja, caktohen oraret dhe takimet. Asgjë nga këto s’kishte ndodhur.

Sikleti i Begollit do shtohej kur ministrja aty për aty i kishte thënë që ta ndërrojë listën e folësve në ngjarje (diçka e caktuar prej kohësh) dhe ta vendos një mikun e saj.

Gërvalla kishte kërkuar që nga eventi të hiqet edhe “një diplomat i akredituar dhe përfaqësues i institucioneve”.

Për skuqjen e përjetuar, Begolli ishte ankuar përmes rrugëve zyrtare te kryeministri. Pak kohë pas ankesës pranoi njoftimin se s’është më konsull dhe duhet të kthehet në Kosovë.

Nuk përfundon këtu.

Çfarë kishte ndodhur në Hamburg u mor vesh nga mediat dhe Begolli dha një prononcim. Të nesërmen i kishte shkuar edhe një letër tjetër, të kthehej në Kosovë menjëherë.

Për shkak se përfaqësuesit diplomatikë nëpër botë marrin familjet me vete, kur ata lirohen nga detyra u jepet një afat prej një e më shumë muajsh që ta organizojnë kthimin.

Por, Gërvalla s’kishte marrë parasysh asgjë nga këto rregulla. Ajo donte kthim qysh të nesërmen, derisa konsullit s’i ishin paguar as biletat e aeroplanit dhe për më tepër, sot e atë ditë nuk ka një arsye zyrtare pse u shkarkua.

Sikur sjelljet jashtë-protokollare e jashtë ligjore të ministres e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës të ishin vetëm në raport me stafin, mbase kaosi do të ishte i kontrollueshëm dhe pasojën do ta vuanin vetëm ata që do prekeshin direkt nga vendimet e pamatura, por Gërvalla shkon shumë më larg.

Udhëtimet zyrtare të Gërvallës janë ekskursione amatorizmi. “Sjelljet e saj duke thyer edhe rregullat protokollare më bazike janë turpëruese”, thotë një burim ndërkombëtar i Albanian Post nga një institucion shumë i rëndësishëm.

“Thjesht nuk di të sillet si një diplomate”, thotë një tjetër burim që i ka rënë ta shoh ministren e Kosovës në disa forume e organizime ndërkombëtare.

Sipas burimeve të AP-së që u ka rënë në këto organizime me Gërvallën, ajo bën gabime nga më elementaret dhe shumë shpesh i ka vënë të gjithë në siklet.

“Nuk di të organizojë takime dhe kur ato ia organizojnë ajo nuk e mban bisedën në terma profesionalë, zyrtarë e diplomatikë”, thotë një burim i AP-së që e ka parë si sillet Gërvalla në disa rate në korridoret diplomatike.

“Prandaj edhe në ardhjen e fundit ne New York nuk ka arritur të sigurojë takime të rëndësishme”, tregon ky burim, “askush s’dëshiron të flas me të”.

Disa që e kanë njohur Gërvallën edhe më parë, thonë se kjo lloj sjellje kaotike është markë që e karakterizon atë në çfarëdo raporti.

Porse tash në petk diplomateje dhe me një audiencë më të gjerë, është rritur shkalla e dëmit që mund të prodhojë sjellja e saj.

“Gjeste teatrale, pamaturi dhe impulsivitet i mbjellur në bindjen se vetëm ajo e ka me vend është përshkrimi për sjelljen e saj”, thotë në konfidencialitet dikush që e njeh Gërvallen qysh nga koha kur ka qenë në Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Vetë prezantimi i Gërvallës në Këshillin e Sigurimit në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, ditën kur u shpalos raporti për Kosovën, ishte gabim.

Edhe vetë amerikanët i kishin sugjeruar kosovarët që të mos përfaqësohen në nivele qeveritare a presidenciale.

Aty zyrtari më i lartë që duhet të jetë nga Kosova është ambasadori i Kosovës në SHBA. Kosova duhet të lobojë që të marrin fund këto raportime.

“Por, Gërvalla vjen sepse e sheh si moment publiciteti”, pohon një burim nga OKB.

Në këtë paraqitje të fundit, përveç se kishte bërë gabim në fjalim dhe prezantim, sidomos kur ministri serb i jashtëm foli “për krimet e Thaçit dhe të tjerëve në Hagë”, Gërvallës iu ofrua mundësia të kundërpërgjigjej, por tha se “s’dua t’ua marrë kohën”, duke mos u vënë në funksion të mbrojtjes së luftës çliritmare.

Por, fjalimet para kamerave janë vetëm pjesa e dukshme.

Prapa tyre ajo është diplomatja që askush s’dëshiron të flas me të. Qasja e saj dhe mungesa e sjelljes diplomatike, pos tjerash, e kanë lënë Kosovën me njohjen e fundit nga Izraeli.

Gërvalla nuk ka arritur të sigurojë asnjë njohje dhe as nuk e ka anëtarësuar Kosovën në ndonjë institucion.

“Ajo njohje nuk sjellë, po shpresoj se bile këto që i kemi nuk na i zhbën”, i tha AP-së një nga këta diplomatët kosovarë që u afektua nga vendimet arbitrare të ministres.

Kjo frikë është e arsyeshme.

Në Maqedoninë Veriore akoma e kanë të freskët kujtimin e ditës kur në tavolinën e Kryeministrit të Maqedonisë po buçiste një zë.

Nga theksi i një anglishte të ngrirë kumbonte zyra. Sekretarja e Kryeministrit Zoran Zaev ishte tronditur qe një zë femre po mbante peshën e britmës duke i rënë tavolinës me grusht.

“Nëse nuk del nga Open Ballkan do të kesh punë me ne”.

Ajo kishte marre porosinë e Kryeministrit Kurti për ta “kërcënuar Maqedoninë”.

“Me vjen keq zonjë, por kjo bërtitmë është e patolerueshme në zyrën time. Për mirësjellje nuk mund të të nxjerr jashtë, përndryshe nuk mund të flasësh me këtë gjuhë dhe në këtë mënyrë”.

Ishte larguar nga zyra duke lënë shijen e një ministreje të pa dijshme dhe një gruaje pa edukatë.

Kur kishte dal nga dera e kryeministrit fytyra e saj kishte pigment bojëgjaku. Ecja e saj s’kishte ekuilibër. Atë e kërkonte, pa sukses, derisa po gjente makinën në oborrin e kryeministrisë se Maqedonisë.

Me talentin e Gërvallës për kapjen e notave të larta ishin njoftuar edhe në Shqipëri.

Një telefon i lënë mbi tavolinë po përcillte një piskamë në Ministrinë e Jashtme të Shqipërisë. Zëri që buçiste i takonte ministres së jashtme të Kosovës.

Ajo po i fliste koleges se saj nga Shqipëria si një soprano e vërtetë.

Në pamundësi për të kapur artikulimin që kërkohet për zhvillim të një bisede normale, zonja i kishte kërkuar Gërvallës të gjente pak sens normaliteti dhe t’i ulë decibelët.

Kur nuk kishte arritur ta bindte për panevojën e piskamës histerike, kishte vendosur telefonin e saj mbi tavoline sepse veshi nuk kishte fuqi ta duronte më. Veç një gjë mund të përballonte këtë çirrje, telefoni metalik i vendosur mbi tavolinë që duronte monologun e pakuptimtë.

Përkundër të gjithave, çdokush afër Gërvallës mund ta ketë punën ngushtë, por ajo vetë jo.

Kryeministri Albin Kurti, ka thënë se i pëlqen shumë Gërvalla dhe puna e saj.

Për shkak të skandaleve të shumta në media kishin dalë informacione se kryeministri është i pakënaqur me të dhe e vetmja arsyeje që nuk po e shkarkon është mos-rrezikimi i koalicionit qeverisës.

Por, vetë Kurti hoqi çdo dilemë.

“Interesant se si po më thonë për zonjën Gërvalla”, kishte thënë një herë kryeministri duke folur në Radio Televizionin Publik.

“Do të kisha dashur që me të gjithë ministrat dhe deputetët ta kem bashkëpunimin si me Gërvallen”, pati deklaruar Kurti i sigurt për kompetencën dhe kredibilitetin e Donika Gërvallës në rolin e ministres së Punëve të Jashtme.

Për sa të jetë kështu, Kurti do të vazhdojë ta ketë ministre të Jashtme Gërvallën, derisa Kosova do të vazhdojë të mos ketë diplomaci.

Donika Gërvalla gabon prapë, e prapë, e prapë…

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore