Lajme

Ministrja Haxhiu nga Instagrami: Vettingu do të fillojë në muajin korrik


Albulena Haxhiu, Ministre e Drejtësisë në Kosovë

Ka zgjedhur Instagramin si platformë komunikimi për të bashkëbiseduar me qytetarë.

Ministrja e Drejtësisë në Kosovë, Albulena Haxhiu, ka publikuar më pas pyetjet dhe përgjigjet që u ka dhënë qytetarëve rreth Vettingut në Kosovë.

E pyetur se sa do të zgjasë procesi i Vettingut, ministrja ka treguar shembujt e vendeve tjera.

“E rëndësishme është që procesi të jetë sa më mirë i përgatitur. Bazuar në praktikat e vendeve tjera, ky proces ka zgjatur më shumë se 5 vite. Ne do ta organizojmë në atë mënyrë që të jetë sa më lehtë i zbatueshëm”, ka shkruar Haxhiu.

Pas aprovimit nga Komisioni i Venecias, ministrja ka treguar se ky proces pritet të filloj në fund të muajit korrik.

“Rregullorja për punën e Qeverisë na obligon që amendamentet kushtetuese t’i vendosim në konsultime. Posa të përmbyllen këto konsultime lidhur me amendamentet kushtetuese, ne do t’i përcjellim të njëjtët në Kuvend për diskutim dhe votim. Më së largu deri në muajin korrik”, ka njoftuar Haxhiu.

Ndër të tjera ministrja Haxhiu ka njoftuar se procesi i Vettingut do të fillojë nga sistemi i Drejtësisë.

“Do të ketë Vetting për sistemin e drejtësisë dhe nivelet e larta të policisë”, ka shkruar shkurt Haxhiu.

Duke shtuar se Ministri i Punëve të brendshme, Xhelal Sveçla, tashmë “ ka krijuar grupin punues” për këtë punë.

Ndërsa për “mundësinë e bllokimit të këtij procesi nga opozita”, ministrja Haxhiu ka thënë që sigurisht se për këtë gjë “kanë edhe planin B me ndryshime ligjore”.

“Ne synojmë ndryshimet kushtetuese dhe jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me secilin subjekt politik, pra edhe partitë opozitare”, ka deklaruar Hahxiu.

Sa i përket kohës se kur do të nis zbatimi i Ligjit për Konfiskim të Pasurisë së Pajustifikueshme, Haxhiu ka thënë se kjo varet nga puna e grupit punues.

“Ky projektligj tashmë është në Kuvend, së bashku me Komisionin për Legjislacion do t’i adresojmë rekomandimet e Komisionit të Venecias dhe më pas i njëjti do të votohet në lexim të dytë”.

“Varet sa zgjatet puna e grupit punues. Besoj deri në shtator të këtij viti do të hyjë në fuqi”, ka thënë Haxhiu.

Haxhiu ka folur edhe për veteranët e luftës duke treguar se do të ketë verifikim të listave.

“Do të ketë verifikim të listave të veteranëve. Kushdo qoftë që edhe një minutë e ka mbajtur uniformën e UÇK-së, meriton përulësi, respekt dhe mbështetjen nga shteti, por jo edhe ata të cilët nuk kanë qenë në luftë”.

“Ata nëse nuk tërhiqen, duhet të largohet nga lista sepse është dëm i madh i së kaluarës, tashmes dhe së ardhmes”, është përgjigjur Haxhiu në një nga pyetjet e qytetarëve për këtë çështje.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu të shtunën ka thënë se nga Komisioni i Venecias kanë marr dritën e gjelbër për fillimin e Vettingut në drejtësi dhe Themelimin e Byrosë Shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu gjatë konferencës për media ka potencuar se në Kosovë do të ketë Vetting duke filluar nga krerët e institucioneve të drejtësisë.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore