Kosova

Ministrja Gërvalla ende nuk i ka dorëzuar emrat e diplomatëve të rinj


Ministria për punë të Jashtme dhe Diasporë në Kosovë

Ende nuk dihet kush do të emërohet në “shtëpitë diplomatike të Kosovës”, të vendosura në shtetet mike, ku aktualisht janë duke shërbyer “diplomatët në detyrë”.

Komisioni për Punë të Jashtme dhe Diasporë në Kuvendin e Kosovës, akoma nuk ka pranuar asnjë propozim dhe asnjë emër të personave që Ministria e Jashtme dhe Diasporës do t’i dërgojë për emërimin e ambasadorëve të rinj në shtetet ku nuk ka diplomat me mandat.

Anëtarë të këtij komisioni dhe hulumtues të organizatave jo qeveritare në Kosovë këtë proces po e shohin si të vonuar, gjë që sipas tyre, zgjatja mund të dëmtojë marrëdhëniet diplomatike bilaterale të Kosovës me shtetet të cilat e njohin atë.

Ministrja e MPJD-së, Donika Gërvalla, në maj të vitit 2021 pati marrë vendimin për shkarkimin e 12 ambasadorëve të emëruar politikë, kthimi i të cilëve pati theksuar se do të bëhet më 30 gusht të po të njëjtit vit.

“Pas datës 30 gusht do të jetë ambasadori i ri aty”, kishte deklaruar Gërvalla.

Megjithatë, MPJD përmes një përgjigje me shkrim për Albanian Post ka treguar se ky proces nuk ka përfunduar, por është drejt përmbylljes.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës është në fazën e finale të përmbylljes së këtij procesi”, thuhet në përgjigjen e Divizionit për komunikim publik të MPJD-së.

“Të gjitha detajet lidhur me emërimin e ambasadorëve do të bëhen të ditura për opinionin brenda pak ditësh”.

Ndërkaq, anëtarja e Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Ariana Musliu-Shoshi, njëherësh edhe deputete nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, në një prononcim për AP ka thënë se ky komision nuk ka pranuar asnjë emër.

“S’ka ardhur ende asnjë propozim, asnjë emër se kemi pranuar. Nuk kemi asnjë informatë se çfarë po ndodhë. Nuk e dimë se çka është duke bërë ministrja Gërvalla”, është shprehur Musliu-Shoshi.

Anëtarja e Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Ariana Musliu-Shoshi, njëherësh edhe deputete nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës.

Vonesës së ministres së diasporës, sipas deputetes së PDK-së, do t’i shtohet edhe vonesa në procedurat që duhet kryer nga ana e shteteve që i akreditojnë këta ambasadorë.

“Procedurat që janë në perëndim marrin goxha shumë kohë. Koha më e madhe që merret është nga shtetet që i akreditojnë ambasadorët, do të thotë disa shteteve mund t’iu nevojitet një muaj kohë, disa të tjerëve dy muaj ose të tjerëve dy javë”.

Ajo ka thënë se në disa vende si Australia, “ku përveç ambasadorit, Kosova nuk ka tjetër përfaqësues, ekziston mundësia që në momentin që ne e tërheqim ambasadorin Australia e mbyll ambasadën”.

Sipas saj, projektligji për shërbimin e jashtëm “është dashur të vijë në kuvend sipas planit legjislativ në fund të muajit qershor”, mirëpo siç thotë edhe vetë deputetja, “projektligji ende nuk ka ardhur në kuvend dhe ende nuk është përgatitur nga ministria”.

Musliu beson se kjo vonesë do ta dëmtojë shtetin e Kosovës në marrëdhëniet diplomatike.

“Në këtë mënyrë jemi duke treguar se ne nuk jemi si shtet të gatshëm të krijojmë marrëdhënie të forta diplomatike bilaterale me shtetet me të cilat na kanë njohur, dhe si shtet nuk po jemi të zotë që këto marrëdhënie t’i respektojmë dhe t’i ngritim në nivele më të larta”, ka potencuar ajo.

Në anën tjetër, edhe hulumtuesi nga organizata jo qeveritare Demokracia Plus, Emir Abrashi, për Albanian Post ka thënë se vonesat e tilla “padyshim që e dëmtojnë Kosovën”, sidomos siç thotë Abrashi, kur kanë mbetur më pak se dy javë deri në skadimin e moratoriumit të imponuar nga Marrëveshja e Uashingtonit – moratorium ky i cili ia pamundësonte Serbisë vazhdimin e fushatës për ç’ njohje ndaj Kosovës.

“Kosova tashmë është shumë e vonuar në emërimin e Ambasadorëve të rinj, dhe ulja e nivelit të përfaqësimit në nivel të Ngarkuarish me Punë, sigurisht se do ta penalizojë Kosovën në zhvillimin e marrëdhënieve me aleatët tanë. Por, përtej faktit që është e vonuar, kjo tregon edhe papjekurinë e diplomacisë kosovare, si dhe qasjen tonë jo-serioze krahas marrëdhënieve ndërkombëtare”, ka thënë Abrashi për Albanian Post.

Hulumtuesi nga organizata jo qeveritare Demokraci Plus, Emir Abrashi.

Sipas tij, institucionet e Kosovës duhet që sa më parë ta bëjnë një vlerësim të situatës, dhe t’i nisin menjëherë procedurat për emërimin e Ambasadorëve të rinj.

“Vazhdimi i një situate të tillë do të ketë dëme të pariparueshme për imazhin tonë në botë, por edhe për konsolidimin e mëtejmë të shtetësisë sonë”, është shprehur ai.

“Pas skadimit të këtij moratoriumi, Kosova do të gjendet e papërgatitur për t’i bërë ballë fushatës së Serbisë, përderisa ne i kemi pa përfaqësim me Ambasadorë dy nga zonat më të cënueshme në këtë aspekt, Ambasadën tonë në Kanberra e cila e mbulon të gjithë Paqësorin, si dhe Ambasadën tonë në Dakar e cila e mbulon të gjithë kontinentin Afrikan”, ka thënë ai.

Po ashtu, ai ka përmendur edhe datën katër shtator kur do të skadojë moratoriumi të cilin Kosova e ka pasur për të mos aplikuar për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, gjë që sipas Abrashit “pa misione të konsoliduara e pa një lobim serioz, është i pamundur çfarëdo lloj anëtarësimi”.

 Cila janë procedurat e përzgjedhjes së ambasadorëve të rinj?

 “Procedurat për emërimin e ambasadorëve të rinj parashohin që në konsultim me Zyrën e Kryeministrit, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës i propozon Komisionit për Punë të Jashtme të Kuvendit, kandidatin/en, i/e cili/a më pas intervistohet nga Komisioni në një mbledhje me dyer të mbyllura”.

“Komisioni për Punë të Jashtme më pas harton një raport, me anë të së cilit i propozon Presidentes dekretimin ose jo të kandidatit/es. Megjithatë, raporti i Komisionit për Punë të Jashtme është konsultativ, dhe Presidentja mund të vendosë ndryshe nga rekomandimi i Komisionit”.

“Pas marrjes së Dekretit nga Presidentja, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës fillon procedurat me Ministrinë homologe për të marrë fillimisht pëlqimin për personin në fjalë, dhe më pas për akreditimin e tij/saj si Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Kosovës. Kjo procedurë, megjithatë, mund të marrë disa muaj kohë, dhe nuk është çështje ditësh apo javësh”, ka treguar Abrashi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore