Kosova

Ministria blen ilaçin e listës esenciale nga Serbia, në kohën kur thuhet se ndalohet importi nga ky shtet


Foto: Albanian Post

Ilaçi “Tramadol” i cili bën pjesë në Listën e Barnave Esenciale të Ministrisë së Shëndetësisë dhe është medikament për trajtimin e dhimbjeve akute, u raportua se do të blihet nga Serbia – madje për të njëjtin pati kontratë që u publikua mes këtij dikasteri dhe kompanisë “Exlusive Corporation”.

Në kontratën e cila është publikuar, Ministria e Shëndetësisë është autoriteti kontraktues, ndërsa kompania e cila thuhet se do të jetë furnizuesi është “EXCLUSIVE CORPORATION SH.P.K”, në të njëjtën kontratë figuron që ky medikament do të merret nga Serbia.

Albanian Post për 22 ditë ka pritur një përgjigje nga MSH-ja lidhur me këtë kontratë e cila ishte publikuar në media për të mësuar arsyet se përse e njëjta ishte bërë me Serbinë.

Ndonëse kontrata figuron të jetë bërë mes MSH-së dhe kompanisë “Exlusive Corporation” për lot 8 për tenderin “Furnizim me barna nga lista esenciale”, përgjegjësia është bartur tek Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK).

Nga MSH-ja për AP shkurtimisht është thënë se “lidhur me pyetjet e juaja, luteni që t’i drejtoheni ShSKUK-së për përgjigje”.

Ndërsa nga Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK), pyetjet janë përcjellur tek drejtoresha e sektorit për furnizim me barna, Dardane Mehaj, e cila ka mohuar këto pretendime duke thënë se kontrata është lidhur më një kompani nga Gjilani.

Por, që nuk qartësohet se nga cili shtet kompania “Exclusive” e siguron ilaçin “Tramadol”.

“Kontrata për produktin Tramadol është lidhur me kompaninë farmaceutike Exclusive nga Gjilani, kompani kjo e cila e ka autorizimin e tregtimit në Kosovë për produktin Tramadol i cili prodhohet në Hemofarm, pjesë e kompanisë gjermane Stada Group”.

Megjithatë Mehaj mohon faktin se kompania në Kosovë fillimisht furnizohet nga Serbia.

E pyetur nga Albanian Post se nga cili shtet sigurohet produkti, ka thënë se pyetjet për këtë çështje duhet të adresohen tek Agjencia e Kosovës për produkte dhe pajisje medicinale.

Albanian Post ka dërguar pyetje por që deri në publikimin e këtij artikulli s’ka pranuar përgjigje.

Ndonëse pyetja ka qenë e qartë, “A mund të na qartësoni kompania “Exclusive” nga cili shtet e siguron produktin “Tramadol”? A sigurohet nga Gjermania apo nga Serbia ngjashëm siç figuron në disa kontrata të publikuara në media?”, përgjigje fliste për krejt diçka tjetër.

“Ju informojmë se produkti Trodon (Tramadol) ampulla është produkt që posedon Autorizim Marketing valid pranë AKPPM-së, sipas legjislacionit në fuqi me prodhues (mbajtës të AM-së) Hemofarm”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Ky nuk është rasti i parë ku për Ministrinë e Shëndetësisë thuhet se ka siguruar një medikament të nevojshëm nga Serbia ngjashëm kishte ndodhur edhe në të kaluarën, për infuzione të cilët po ashtu ishin siguruar përmes Serbisë.

Kontrata mes MSH-së dhe kompanisë “Exlusive Corporation”.

“S’është kontrata e parë me Serbinë për sigurimin e barnave”

Ish ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, në një bisedë për Albanian Post sqaron se ky nuk është rasti i parë ku kjo qeveri lidh kontratë me Serbinë për të siguruar barnat.

Ngjashëm kishte ndodhur edhe në vitin 2023, por që sipas tij as institucionet e drejtësisë nuk e kanë trajtuar këtë rast me seriozitetin e nevojshëm.

“Edhe para këtij viti kemi reaguar se ka pasur infuzione të importuara nga Serbia, por ka kaluar në heshtje kjo edhe nga organet e drejtësisë edhe nga ana e deklarimeve që i kam pasur në emër të LDK-së dhe tash avazi i njëjtë është duke vazhduar”.

Me vendime të tilla ai pohon se Qeveria është duke shkelur vendimet që ka marrë vetë, e që vlerëson se këto vendime po i merr për interesa financiare personale.

“Qeveria së pari e ka shkelur vendimin e vet sepse ka vendim të ekzekutivit për ndalimin e importeve nga Serbia dhe kjo tregon shtyrjen e qartë të tyre, mashtrimin vetëm për interesat e tyre financiare dhe shpesh herë këto që jemi mësuar t’i shohim populiste dhe elektorale”.

Për Zemajn, furnizimi me barna në këtë qeveri është “njolla më e keqe” e katër viteve.

Ish ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj

“Sidomos dy viteve të fundit, pas hartimit të Listës Esenciale të Barnave dhe futjen e produkteve të reja dhe krijimit të monopolit dhe më keqja është implikimi i mafisë farmaceutike në këtë sektor përmes qeverisjes Kurti dhe qeverisjes së Lëvizjes Vetëvendosje”.

Meqë anëtar i Komisionit për Shëndetësi është edhe deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Shemsedin Dreshaj, Albanian Post e ka kontaktuar edhe atë në lidhje nëse ka informacion për blerjen e këtij medikamenti nga Serbia.

Por, Dreshaj s’ishte i informuar për rastin.

“Mendoj që me Serbinë s’kemi lidhur kontratë për sigurimin e barnave. Mekanizmi i pagesës në mënyrë institucionale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk është i mundur deri më sot jo. Në mënyrë institucionale po flas”, tha Dreshaj për AP.

Ilaçe nga Serbia në kohën e ndalimit të importit nga ky vend, si?

Më 14 qershor të 2023-së, Qeveria e Kosovës kishte njoftuar se e ndalon importin e mallrave nga Serbia, një ditë pasi forcat serbe kishin arrestuar tre policë të Kosovës.

Megjithatë, një vendim zyrtar për këtë ndalim kurrë nuk ishte prezantuar.

Ndërkohë që policët kanë dalë nga paraburgimi për t’u mbrojtur në liri, masa e ndalesës së shumicës së produkteve nga Serbia thuhet të ketë vazhduar.

Është hequr ndalesa vetëm mbi importin e lëndës së parë dhe të gjysmëproduketeve, por jo edhe mbi produktet e gatshme.

Bashkimi Evropian dhe përfaqësues të komunitetit të biznesit në Kosovë i kishin kërkuar disa herë Qeverisë së Kosovës që ta shfuqizojë këtë ndalesë.

Ilaçi “Tramadol” që trajton dhimbjet akute

Në Kosovë në mungesë të zbatimit të Ligjit, barnat e njëjta vazhdojnë të shiten me çmime të ndryshme.

Në anën tjetër, që nga paslufta në Kosovë, asnjëherë spitalet publike në Kosovë nuk kanë arritur ta përmbushin listën esenciale të barnave 100 për qind.

Si rrjedhojë, vazhdimisht ka pasur mungesë të tyre dhe pacientët detyrimisht janë obliguar që gjatë trajtimit t’i blejnë vetë ato.

Buxheti për shëndetësinë kap shifrën prej 345 milionë euro, që nga paslufta ky buxhet është konsideruar si më i larti dedikuar këtij sektori.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore