Kosova

Ministri serb: Masat e Serbisë për Kosovën nisin në nëntor


Ministri i Punës dhe Çështjeve Sociale në Serbi, Nemanja Staroviç, ka thënë se pakoja që Qeveria e Serbisë e ka miratuar të shtunën “për t’i mbrojtur të drejtat e serbëve dhe interesat kombëtare e vitale shtetërore në Kosovë” do të nis së zbatuari në fillim të nëntorit.

“Kemi pasur kërkesa të qarta drejtuar bashkësisë ndërkombëtare. Kërkesa me bazë dhe të shpjeguara mirë për kthim në ‘status quo’, në kohën para se Albin Kurti, duke zbatuar masat e njëanshme, të shkatërrojë dhe rrëzojë Marrëveshjen e Brukselit”, tha Staroviç gjatë një interviste në Radio Televizionin e Serbisë.

Pakoja, sipas tij, pos dimensionit politiko-juridik, ka edhe aspektin socio-ekonomik, derisa ka pretenduar se Kosova do të shpallet “zonë e mbrojtur sociale” brenda gjashtë javëve.

Sipas tij, një nga masat shumë të rëndësishme është forcimi i qëndrueshmërisë së institucioneve serbe në Kosovë.

Ai vlerëson se shumë bashkëbisedues nga bashkësia ndërkombëtare i kanë kuptuar mesazhet që janë dërguar dhe shton se diplomacia serbe, por edhe zyrtarët shtetërorë, do të shfrytëzojnë çdo mundësi dhe çdo vend për të insistuar në pjesën politike të pakos.

“Do të shohim se cili do të jetë rezultati, por mendoj se bashkësia ndërkombëtare më në fund po ndërgjegjësohet për faktin se shkaktari i vetëm i kësaj situate jonormale në zonën e Kosovës është Albin Kurti. Duhet të insistojmë në kthim të ‘status quo’, por edhe të bëjmë gjithçka që mundemi, e cila është e përfshirë në këtë paketë social-ekonomike për të ndihmuar popullatën tonë”, shtoi.

Ndryshe, javën e kaluar, presidenti serb Aleksandër Vuçiç ka njoftuar për pesë lëvizje të reja që ai dhe shteti i Serbisë do t’i ndërmarrin në raport me Kosovën, në një seancë të jashtëzakonshme të paralajmëruar 72 orë më parë, derisa tha se sa i përket politikës së shpalljes “pjesë e okupuar Kosovën”, nuk kanë marrë vendim akoma, meqë “ekspertët juridikë ishin kundër”.

“Për okupimin s’kemi marrë vendim akoma” – Vuçiç prezanton 5 “lëvizjet e reja” në raport me Kosovën

Në fjalimin e tij të shoqëruar edhe me disa pamje të shfaqura në monitor me pikat kryesore, ai tha se lëvizjet e reja janë: “Status Quo-ja”, “Kosova zonë e mbrojtjes së veçantë”, pastaj “rezistencë e institucioneve serbe ndaj Kosovës”, “krijimi i një prokurorie speciale” dhe “vendim për paligjshmërinë e të gjitha organeve dhe institucioneve arsimore në territorin e Kosovës pas shpalljes së paligjshme të pavarësisë dhe mosekzistencës së të gjitha akteve të tyre që janë miratuar ose do të miratohen”.

Vuçiç deklaroi gjithashtu se sulmi nuk është opsion, meqë ishte vetë Serbia që humbi më shumë se kushdo tjetër në luftërat në ish-Jugosllavi.

“Po sulmohemi krejtësisht ilegalisht që dikush të realizojë interesat e tij, edhe pse nuk duhet të anashkalojmë faktin se një numër i konsiderueshëm shqiptarësh kanë vdekur tragjikisht, gjë që nuk duhet ta harrojmë nëse duam të jemi objektivë dhe të denjë”, deklaroi Vuçiç.

Duke folur për situatën në Kosovë, ai pohoi se “në periudhën e ardhshme mund të presim vetëm lajme më të këqija, jo më të mira, sepse zgjedhjet (në Kosovë) po vijnë”, tha Vuçiç.

Ndërkaq Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), Donika Gërvalla, i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të dënojnë sjelljen dhe gjuhën armiqësore të Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, kundër Kosovës.

Këto komente, Gërvalla i ka bërë përmes një postimi në Facebook, një ditë pasi që Vuçiç mbajti konferencën ku shpalli shtatë masa gjoja për mbrojtjen e serbëve të Kosovës.

“Faktorëve ndërkombëtarë u bëjmë thirrje të dënojnë me gjuhë të qartë dhe qëndrime të vendosura qasjen, sjelljen dhe gjuhën agresive dhe armiqësore të Aleksandër Vuçiç-it karshi Republikës së Kosovës”, shkroi Gërvalla.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore