Shqipëria

Ministri i Brendshëm inspekton nga Himara në Sarandë: Asnjë tolerim për ndotësit e mjedisit


Ministri i Brendshëm shqiptar, Ervin Hoxha, i shoqëruar nga drejtues të Policisë Kufitare të Vlorës dhe të Agjencisë Kombëtare të Bregdetit inspektuan vijën bregdetare nga Himara deri në Sarandë, për të parë nga afër zbatimin e masave për rritjen e parametrave të sigurisë detare.

Gjatë këtij zbarkimi në terren, ministri Hoxha nënvizoi faktin se siguria detare dhe siguria mjedisore mbeten primare në punën e Policisë së Shtetit, krahas sigurisë publike dhe sigurisë rrugore.

Ai theksoi se nëse një nga këto katër komponentë fillon të shfaqë probleme, dëmtohet gjithë ecuria dhe mbarëvajtja e sezonit.

“Policia Kufitare Vlorë ka 17 njësi me efektivë të trajnuar dhe mjete lundruese, që operojnë gjatë gjithë vijës bregdetare, për parandalimin e ngjarjeve, për parandalimin e ndotjes së mjedisit. Kemi ushtruar kontrolle në vazhdimësi, tek operatorët privatë apo ata që janë të certifikuar dhe ushtrojnë aktivitetin ekonomik në këtë zonë. Ka pasur edhe paligjshmëri që janë ndëshkuar. Kontrollet do të vijojnë deri në fund të sezonit turistik”, u shpreh  nga ana tjetër rrejtori i Policisë Kufitare Vlorë, Eduard Sulejmani.

Drejtuesi rajonal i Agjencisë Kombëtare të Bregdetit Astrit Bilibashi tha se koordinohet puna me çdo agjenci dhe Policinë e Shtetit, dhe shkelësit janë proceduar dhe u është hequr licenca.

Ministri i Brendshëm kërkoi nga autoritetet ti kushtojnë vëmendje të veçantë kushteve të lundrimit, kapaciteteve të lundrimit si dhe vendeve të ankorimit dhe imbarkimit të pushuesve, për të shmangur çdo incident me pasoja.

“Jam këtu për t’ju mbështetur në punën tuaj, për të bërë çmos që kushtet e punës, mjetet, pajisjet ti keni në dispozicion dhe të ndiheni të motivuar”, u shpreh ministri Hoxha.

Ndër të tjera ministri deklaroi se mbetet detyrë e Policisë që në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Bregdetit dhe Agjencinë Kombëtare të Mjedisit të evidentojnë dhe të ndëshkojnë ata që guxojnë të ndotin plazhet tona apo mjediset përreth plazheve.

“Policia i ka të qarta detyrat e saj, po ashtu edhe agjencitë ligjzbatuese dhe do të qëndrojnë fort ndaj çdo paligjshmërie që tenton të cenojë imazhin e vendit dhe turizmin në përgjithësi”, përmbylli Hoxha.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore