Shqipëria

Ministri grek takon Belerin, kërkon të lejohet menjëherë betimi i tij


Ministri grek i Mbrojtjes së Qytetarit, Yiannis Oikonomou, ka takuar kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri, për të cilin ka kërkuar lejimi i menjëhershëm për betimin e tij në krye të bashkisë jugore.

Një takim i tillë ishte njoftuar më parë, pasi Oikonomou ka marrë pjesë në Ministerialin euro-ballkanik të Punëve të Brendshme, i organizuar në Tiranë më 14 shtator.

“U takova sot në burgjet e Durrësit, në prani të ambasadores tonë në Shqipëri, Konstantinas Kamitsi, me kryetarin e zgjedhur të Bashkisë së Himarës, anëtar i minoritetit etnik grek të Shqipërisë, Fredi Beleri, i cili qëndron në paraburgim për më shumë se katër muaj. Për Greqinë ky rast ka qenë që në fillim dhe mbetet tejet serioz. Respektimi i shtetit të së drejtës dhe i të drejtave politike janë parimet dhe vlerat kryesore evropiane”.

Kështu shkruan fillimisht ministri grek, lidhur me takimin.

Më tej, ai thekson se qëndrimi i Greqisë mbetet i pandryshuar për rastin, ku saktëson se sipas standardeve greke, nuk janë marrë parasysh parimet e shtetit ligjor, prezumimi i pafajësisë dhe respektimi i të drejtave politike.

“Pala shqiptare duhet të lejojë menjëherë betimin e Belerit si kryetar bashkie, duke respektuar verdiktin e qytetarëve në zgjedhjet e fundit”, ka vijuar ai në përmbyllje. “Zgjatja e situatës aktuale hedh një hije serioze mbi marrëdhëniet tona dypalëshe dhe është në kundërshtim me të drejtën ligjore evropiane, me gjithçka që ajo përfshin”.

Një ditë më parë, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar e ka dërguar përfundimisht për gjykim dosjen e kryetarit të zgjedhur të Bashkisë Himarë, Fredi Beleri, i cili akuzohet për shit-blerje të votave në procesin zgjedhor të 14 majit 2023.

Megjithatë, sipas avokatit të këtij të fundit, klienti i tij po mbahet në burg politikisht dhe kjo çështje, ashtu si duket deri tani, “do të zgjasë”.

Pikërisht për këtë aspekt, ai mendon se Beleri nuk duhet të mbahet në paraburgim, duke qenë se gjyqi do të zgjasë. Ndërsa, thekson se nuk kishte pritshmëri të tjera nga pala mbrojtëse mbi rezultatin e gjykimit.

Ndërkaq, diplomacia greke ka vijuar me presionin e saj ndaj autoriteteve shqiptare lidhur me arrestimin e Belerit.

Ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, Georgios Gerapetritis, deklaroi se perspektiva evropiane e Shqipërisë lidhet me respektimin e të drejtave të pakicës kombëtare greke.

“Shqipëria duhet të dëshmojë se respekton të drejtat e pakicës kombëtare greke dhe shtetin e së drejtës”, theksoi kryediplomati grek gjatë një konference ndërkombëtare.

Reagimi i autoriteteve greke vjen disa orë para seancës së Fredi Belerit në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit (GJKKO), i cili ka bërë dy kërkesa për leje të veçantë, por që i janë refuzuar.

Gerapetritis shtoi se Athina zyrtare nuk mund të pranojë vende kandidate që nuk përmbushin kriteret e anëtarësimit dhe parimet bazë të BE-së, si demokracia dhe shteti i së drejtës, duke iu referuar Shqipërisë.

Më herët, Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) konfirmoi për Albanian Post se pret nga autoritetet shqiptare “që të sigurojnë një proces të rregullt sipas ligjeve të tyre” për arrestimin e kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri.

Ndërtimi i situatës

Prokuroria e Posaçme (SPAK) kërkon gjykimin e Belerit për korrupsion zgjedhor.

Nga avokatët e tij është bërë me dije se Beleri pritet të jetë i pranishëm në seancën paraprake.

Ndërkaq, avokati vizitoi më herët Dhomën e Avokatëve të Athinës.

Eugen Gjyzari u prit në zyrat e Shoqatës nga kryetari i seancës plenare të kryetarëve të Dhomës së Avokatëve të Greqisë, Dimitris Vervessos.

Ky i fundit, i shprehu “solidaritetin e avokatëve me kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës”.

Ai tha se një delegacion nga seanca plenare do të marrë pjesë në diskutimin vijues të kërkesës për lirim. Gjykata e Tiranës i ka rrëzuar të gjitha këto kërkesa.

Një deklaratë e Dhomës së Avokatëve të Athinës, tha se avokatët grekë u informuan në detaje për vazhdimin e ndalimit.

Fredi Beleri u ndalua nga autoritetet shqiptare me dyshimin për mashtrim votash, të cilin ai e ka mohuar.

Ndërkaq ai ka paraqitur në Gjykatën e Lartë dy rekurse të reja.

Në to kërkohet vlerësimi si i paligjshëm i arrestimit të tij dhe shpallja e paligjshme e përgjimeve që Prokuroria ka kryer ndaj Belerit.

Mbi pikën e parë, Beleri e ka kthyer tashmë në kauzën më të madhe pas zgjedhjes si kryebashkiak, mbajtjen në paraburgim me vendim të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e cila argumenton se ka prova që Beleri ka ushtruar aktin e paligjshëm të shitblerjes së votës.

Kjo gjë është mohuar kategorikisht nga ai.

Ndërsa, arrestimi, erdhi pas përgjimeve të kryera nga Prokuroria e Posaçme dhe për këto, Beleri pretendon se janë të jashtëligjshme.

Më herët, Beleri, përmes një publikimi në median sociale Facebook, deklaroi se “nuk ka vendim gjykate, që ta ndalojë betimin tim në krye të Bashkisë Himarë”.

Përmes postimit, ai ka thënë se nuk ka asnjë vendim gjyqësor që të ketë rrëzuar kërkesën e tij për leje të veçantë për të bërë betimin.

Me këtë reagim, Beleri i drejtohet drejtpërdrejt kryeministrit Edi Rama, duke e etiketuar atë edhe në citimin fillestar të publikimit, të cilin e titullon “Kush (kë) po dizinformon z. Rama?”.

Mirëpo, nga ana tjetër, kreu i Qeverisë shqiptare e ka bërë të qartë se çështja Beleri nuk është politike, sakaq krejtësisht ligjore dhe në duart e drejtësisë.

Ndaj, ai nuk ka ndërhyrë asnjë sekondë për të interferuar me punën e organeve të drejtësisë.

Teksa, së fundmi, pjesë e çështjes Beleri janë bërë edhe Partitë Popullore Evropiane, të cilat kanë kërkuar lirimin e Belerit, pasi mbahet “padrejtësisht në paraburgim”.

Njëjtë e ka qëndrimin edhe shteti grek, ku prej kësaj ngjarjeje, ka pasur edhe tensione të larta diplomatike, të cilat kulmuan me mungesën e ftesës për kryeministrin Rama në një takim informal të zhvilluar në Athinë me liderët e rajonit, nga homologu i tij grek, Kyriakos Mitsotakis.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore