Lajme

Ministri britanik i Mbrojtjes dorëhiqet pas nëntë vitesh në qeveri


Ministri britanik i Mbrojtjes Ben Wallace, i cili luajti një rol kyç në mbështetjen e Ukrainës përballë pushtimit rus dhe së fundmi kishte paralajmëruar se donte të largohej nga posti i tij, ka dhënë zyrtarisht dorëheqjen, njoftoi Downing Street të enjten e 31 gushtit.

Lajmi u bë i ditur nga agjencia franceze “AFP”.

Ben Wallace, 53 vjeç, kishte treguar gjatë verës synimin e tij për t’u tërhequr nga jeta politike pas nëntë vitesh në qeveri, përfshirë katër vite në mbrojtje.

“Unë u zgjodha deputet në vitin 2005 dhe pas kaq vitesh është koha për të investuar në aspektet e jetës që kam lënë pas dore dhe për të eksploruar mundësi të reja”, shkruan ai në letrën e tij të dorëheqja e publikuar nga shërbimet e kryeministrit Rishi Sunak, i cili duhet të shpallë shpejt emrin e pasuesit të tij.

Shtypi britanik vlerësoi se ky ndryshim i planifikuar do të ishte pjesë e një riorganizimi më të gjerë duke lejuar Rishi Sunak të përgatitet për zgjedhjet legjislative të planifikuara për vitin e ardhshëm, të cilat premtojnë të jenë të vështira për konservatorët në pushtet prej 13 vitesh kundër laburistëve.

Por informacionet e fundit sugjerojnë se ky rinovim do të vijë më vonë në vjeshtë.

Ben Wallace ka luajtur një rol kyç në mbështetjen e vendeve perëndimore për Ukrainën që nga fillimi i pushtimit rus në shkurt të vitit 2022.

Kandidat për postin e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, ai nuk arriti të marrë miratimin e shteteve dhe norvegjezi Jens Stoltenberg u riemërua.

I zgjedhur në Parlamentin Britanik prej 18 vitesh, Ben Wallace është personi që ka qëndruar në Ministrinë e Mbrojtjes për kohën më të gjatë që nga Winston Churchill, duke marrë detyrën atje në vitin 2019, pasi shërbeu si ministër i Theresa May.

Ai është i vetmi ministër i ngarkuar me një portofol kryesor që ka mbetur në detyrë në tre qeveritë e fundit: atë të aleatit të tij Boris Johnson, atë kalimtare të Liz Truss dhe në fund atë të Rishi Sunak.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore