Kosova

Minatorët në grevë, qeveria refuzon të komunikojë me ta – “90% jemi në kredi, familjet jemi duke i mbajtur me borxh, s’kemi paga qysh nga maji”


Foto: Albanian Post

“90 për qind jemi në kredi, familjet jemi duke i mbajtur duke marrë borxh”, ka thënë njëri nga punonjësit e kompleksit metalurgjik “Trepça”, i cili çdo ditë udhëton nga Vushtrria në Mitrovicë për të kryer punën e tij, por ka preferuar të flas në kushte anonimiteti, sepse frikësohet se deklarimi publik mund t’i hakmerret edhe me vendimin e punës.

“Që nga muaji maj jemi pa paga. Qeveria s’është duke ndërmarrë asgjë dhe ne nuk jemi duke e ditur se çfarë po ndodh pasi askush s’po na informon”, deklaron.

Sipas tij, ka pasur shitje në “Trepçë” gjatë këtij viti prandaj s’është aspak e arsyeshme mos pagesa e punonjësve.

“Po, ka shitje nuk është që s’ka pasur shitje. Por, ku janë duke shkuar të hollat ne nuk e dimë”, duke shtuar se vazhdimisht ka parregullsi të llojeve të ndryshme “ka tendera, ka borxhe shumë”.

Si Qeveria që është e mbyllur për informacione, ngjashëm po sillet edhe menaxhmenti i “Trepçës”.

“Asnjë informacion nuk e jep menaxhmenti për paga ata janë duke e bojkotuar punën. Situata është shumë e rëndë”, ndërsa thotë se “asnjë person nga institucionet s’ka ardhur për vizitë”.

Janë bërë 20 ditë që kur minatorët janë në grevë, kjo për shkak të mosekzekutimit të pagave nga ana e Qeverisë së Kosovës.

Albanian Post ka dërguar pyetje që nga 15 korriku në Ministrinë e Ekonomisë – për t’u informuar se kur do të ekzekutohen pagat e minatorëve dhe përse çdo muaj po ka problem në këtë drejtim.

Por, që akoma s’ka pranuar përgjigje.

Minatorët e Trepçës.

Edhe në muajin qershor, minatorët kishin hyrë në grevë për shkak të mosekzekutimit të pagave për muajin maj.

Marrëveshje e arritur mes Trepçës dhe Qeverisë në muajin nëntor të 2023-së, përmes së cilës synohej që pagat e minatorëve të dilnin në kohë, deri më tani s’është zbatuar pothuajse asnjëherë.

Nga Sindikata e Trepçës, të hënën përmes një komunikate për media kanë deklaruar se Qeveria as s’ka interesim të informohet për problemet që ka aktualisht në këtë ndërmarrje.

Përfaqësuesi i sindikatës së punëtorëve të Trepçës, Destan Kërleshi, në një përgjigje me shkrim për Albanian Post, deklaroi se kanë pasur një takim me bordin, por që s’ka dërguar në rezultate konkrete.

“Rreth 720 minatorë janë në grevë. Kemi pasur një takim me bordin mbikëqyrës të premten dhe kanë kërkuar kohë deri sa të bëjnë një zgjedhje”.

Ndonëse, kanë kërkuar vazhdimisht që të takohen me kryeshefin Bashkim Kurti, nga ana e tij s’është shprehur interesim që të takohet me minatorët.

“Minatorët po kërkojnë që të përcaktohet koha se kur do të ekzekutohet paga. Por, kryeshefi ekzekutiv s’po gjen kohë dhe nuk ka interesim për t’u takuar me minatorët dhe të ua sqarojë gjendjen. Kjo injorancë e kryeshefit po i irriton minatorët”, thotë Kërleshi.

Edhe pse Kurti e kishte vlerësuar si “krim të madh” mosinvestimin në Trepçë, aktualisht qeverisja e udhëhequr nga ai lërë që s’ka krijuar kushte dhe s’ka investuar në të, por minatorëve pothuajse në secilin muaj të 2024-së s’ia ekzekuton pagat me kohë.

“Mosinvestimi në ‘Trepçë’ është një ndër krimet më të mëdha në Kosovën e pasluftës, sepse nuk është krim vetëm kur bën diçka keq por edhe kur s’bën diçka mirë, e ke përgjegjësinë për diçka të tillë”, ishte deklarata e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në janar të 2021-së, gjatë kohës kur ishte në opozitë.

Kryeministri Albin Kurti

Mos përmirësimi i kushteve të punëtorëve të Trepçës, ka dërguar në greva të njëpasnjëshme.

Kompleksi metalurgjik Trepça, deri në vitet 90 atëherë kur ishte përkeqësuar situata politike, ishte llogaritur si një prej ndërmarrjeve më të mëdha, jo vetëm në Kosovë, por edhe në territorin e Jugosllavisë së atëhershme.

Rënia e prodhimit ka nisur në vitet 90 kur regjimi i atëhershëm i Serbisë ka vendosur masa të dhunshme në Kosovë, kështu duke mbyllur gati të gjitha ndërmarrjet dhe institucionet në vend.

Ndërmarrja nuk ka arritur asnjëherë të vihet në funksion të zhvillimit ekonomik të Kosovës, por pritet të kalojë nën Fondin Sovran të Qeverisë së Kosovës.

Fond ky i cili do t’i marrë nën pronësi të gjitha asetet strategjike të Kosovës, për të investuar më pas në rritjen e vlerës së tyre, ndërsa miratimi i tij është paraparë që të bëhet brenda vitit 2023.

Kryeshefi i Trepçës dhe Qeveria Kurti të painteresuar për hallet e mbi 700 minatorëve

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore