Lajme

Minatorët bojkotojnë punën, s’morën paga të plota


Minatorët e Trepçës.

Minatorët në ndërmarrjen “Trepça”, kanë bojkotuar punën të enjten për shkak që akoma s’kanë marrë pagat e plota.

Kjo pasi disa prej minatorëve kanë marrë pagë vetëm 40 për qind për muajin mars.

Minatori i Trepçës në Stantërg, Gani Osmani ka thënë se është arritur marrëveshja me drejtorin Bashkim Kurti dhe minatorët kanë vazhduar punën.

“Vetëm 40 për qind të pagës minatorët i kanë marrë natën e festës së Bajramit. Sipas marrëveshjes së arritur me drejtorin sot, 30 për qind e pagës së minatorëve do të realizohen këto dy ditë, ndërsa edhe 30 për qind  të mbetur do të paguhen pas shitjes së koncentratit, që do të realizohet brenda një jave’, ka thënë Osmani për mediat.

Në muajin nëntor, minatorët kishin qëndruar në grevë për 10 ditë kështu duke kërkuar plotësimin e tri kërkesave përmirësimin e kushteve, shkarkimin e kryeshefit të Trepcës, Enis Abdurrahmani dhe pagat t’u dalin me kohë.

Me uniformë të vjetruar, çizme të baltosura e helmetë të zymtuar minatorët punojnë tash e sa vjet në këtë minierë.

Kërkesë e tyre ka qenë vazhdimisht përmirësimi i kushteve, por që asnjëherë s’u dëgjuan nga pushteti.

Kjo ka dërguar në greva të njëpasnjëshme.

Kompleksi metalurgjik Trepça, deri në vitet 90 atëherë kur ishte përkeqësuar situata politike, ishte llogaritur si një prej ndërmarrjeve më të mëdha, jo vetëm në Kosovë, por edhe në territorin e Jugosllavisë së atëhershme.

Rënia e prodhimit ka nisur në vitet 90 kur regjimi i atëhershëm i Serbisë ka vendosur masa të dhunshme në Kosovë, kështu duke mbyllur gati të gjitha ndërmarrjet dhe institucionet në vend.

Ndërmarrja nuk ka arritur asnjëherë të vihet në funksion të zhvillimit ekonomik të Kosovës, por pritet të kalojë nën Fondin Sovran të Qeverisë së Kosovës.

Fond ky i cili do t’i marrë nën pronësi të gjitha asetet strategjike të Kosovës, për të investuar më pas në rritjen e vlerës së tyre, ndërsa miratimi i tij është paraparë që të bëhet brenda vitit 2023.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore