Lajme

Miliarderi i ri më i ri në botë – një 25-vjeçar që e braktisi shkollën


Alexandr Wang u largua nga MIT në moshën 19-vjeçare për të bashkëthemeluar Scale AI.

Tani ai ndihmon Forcat Ajrore, Ushtrinë, GM dhe Flexport që të zhbllokojnë potencialin e të dhënave të tyre.

Wang u rrit nën hijen e Laboratorit Kombëtar të Los Alamos të Nju Meksikos, vendi top-sekret ku Shtetet e Bashkuara zhvilluan bombën e parë atomike gjatë Luftës së Dytë Botërore.  

Prindërit e tij ishin fizikanë, të cilët punonin në projekte armësh për ushtrinë.  

Tani ai bën të njëjtën gjë: “Scale AI”, kompania gjashtëvjeçare e Wang me bazë në San Francisko, ka nënshkruar tashmë tre kontrata me vlerë deri në 110 milionë dollarë, në varësi të nevojave të qeverisë, për të ndihmuar Forcat Ajrore dhe Ushtrinë Amerikane të përdorin inteligjencën artificiale.  

Shumë mbresëlënëse për një 25-vjeçar. 

Teknologjia e Scale analizon imazhet satelitore shumë më shpejt se analistët njerëzorë për të përcaktuar se sa dëme po shkaktojnë bombat ruse në Ukrainë.

Është e dobishme, jo vetëm për ushtrinë 

Më shumë se 300 kompani, duke përfshirë General Motors dhe Flexport, përdorin Scale, të cilin Wang e filloi kur ishte 19 vjeç, për t’i ndihmuar ata të nxjerrin ”ar nga lumenjtë e informacionit të papërpunuar”. 

“Çdo industri posedon sasi të mëdha të dhënash”, thotë Wang, i cili u shfaq në listën e Forbes në vitin 2018.  

“Qëllimi ynë është t’i ndihmojmë ata të zhbllokojnë potencialin e të dhënave dhe të mbushin bizneset e tyre me Inteligjencë Artificiale (AI). 

Një raund financimi prej 325 milionë dollarësh vitin e kaluar vlerësoi Scale, i cili gjeneron rreth 100 milionë dollarë të ardhura, në 7.3 miliardë dollarë.  

Aksionet e vlerësuara prej 15% të Wang janë me vlerë 1 miliard dollarë, duke e bërë atë miliarderin më të ri në botë.   

Si fëmijë, Wang ishte një ekspert i matematikës duke marrë pjesë në garat kombëtare të matematikës dhe kodimit. 

Në moshën 17-vjeçare, ai po punonte me kohë të plotë për kodim në faqen e pyetjeve dhe përgjigjeve Quora, ku takoi bashkëthemeluesen e Scale, Lucy Guo.  

Ai bëri një kurs të shpejtë në MIT për të studiuar mësimin e makinerive dhe filloi Scale me Guo verën pas vitit të parë të parë.  

“U thashë prindërve të mi se do të ishte një gjë që do ta bëja vetëm për verën”, thotë Wang. 

“Natyrisht, nuk u ktheva kurrë në shkollë”.

Marrë nga Forbes, përshtatur për Albanian Post 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore