Milan-i nuk ka arritur të gjejë fitoren e parë të këtij edicioni në Ligën e Kampionëve, duke barazuar 1:1 përballë Porto-s në shtëpi, në ndeshjen e vlefshme të xhiros së katër të grupeve.
Mesfushori i Milan-it, Ismail Benaccer, bëri një gabim në mesin e fushës, të cilin nuk e falën portugezët, duke realizuar golin e epërsisë në minutën e gjashtë.
Porto pas golit kishte dhe dy raste të tjera shumë të mira me Grujic, por që nuk gjeti rrjetën.
Milani rastin e vetëm të mirë në pjesën e parë e kishte në minutën e 34-të, por goditja e Olivier Giroud nuk qëlloi cakun.
Goli i barazimit erdhi në minutën e 61-të, kur Mbemba shënoi në portën e tij, i gjendur në presion nga mbrojtësi kuqezi, Kalulu.
Kuqezinjtë e Stefano Pioli-t u munduan të gjejnë golin e epërsisë, por nuk patën sukses, duke u ndalur në vetëm një pikë nga ky takim.
Me këtë barazim, skudra italiane i ka thuajse të humbur gjastat për një kualifikim tutje në fazën e 1/8-ve, derisa Porto rrëmben vendin e dytë me pesë pikë.
Në ndeshjen tjetër të orës 18:45, Real Madrid-i mundi në shtëpi Shakhtar Donetks me rezultat 2:1.
Mbretërit e gjetën golin në minutën e 14-të, kur Karim Benzema ishte i saktë për të gjetur rrjetën për 1:0.
Pesë minuta para përfundimit të pjesës së parë, Alan Patrick bëri një pasim të mirë te Fernando, i cili barazoi shifrat në 1:1.
Pjesa e parë përfundoi me rezultat të barabartë, derisa ajo e dyta ishte më e mirë për Real Madrid-in, që riktheu sërish epërsinë.
Kush tjetër përveç Benzema, i cili e ktheu në gol një pasim të bukur të Vinicius Junior për 2:1 në minutën e 61-të.
Madrilenët patën edhe disa mundësi të mira për të dyfishuar epërsinë, por rezultati mbeti i pandryshuar deri në fund.
Me këto tre pikë, Real-i bëhet lider në grup, me nëntë pikë të grumbulluara, ndërsa Shakhtar-i pozicionohet në vendin e fundit me vetëm një pikë.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.comLajmet kryesore
-
Amerika nënshkruan marrëveshje miliardëshe me Serbinë në fushën e energjisë
-
Anëtarësimi në SEPA, Sejko: Po punojmë me ekspertët e Bankës Botërore
-
Zbulohet lufta në hije e Rusisë kundër Izraelit: Nxit pakënaqësinë arabe, tensionon marrëdhëniet me jashtë
-
Haradinaj: Osmani i kërkoi Biden-it që Kosova ta propozojë draft-statutin e Asociacionit, Kurti e pengoi